Në Prishtinë është mbajtur faza finale e Olimpiadës së Dytë të përbashkët në lëndën “Gjuhë shqipe”, ku morën pjesë nxënës të klasave të nënta nga Kosova dhe Shqipëria.
Aktiviteti u organizua në kuadër të bashkëpunimit arsimor ndërmjet dy vendeve dhe mblodhi 87 nxënës që kishin arritur rezultate të larta në fazat paraprake të garës.
Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë zëvendësministri në detyrë i Arsimit i Kosovës, Përparim Kryeziu, dhe zëvendësministrja e Arsimit e Shqipërisë, Orjana Osmani.
Kryeziu tha se Olimpiada e Gjuhës Shqipe nuk është vetëm një garë dijesh, por edhe një promovim i identitetit dhe kulturës kombëtare shqiptare.
Ndërsa Osmani theksoi se gjuha shqipe mbetet një nga shtyllat kryesore të ruajtjes së historisë dhe identitetit kombëtar, duke e cilësuar olimpiadën si shembull të bashkëpunimit arsimor dhe kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Organizatorët vlerësuan se ky aktivitet synon të nxisë mendimin kritik, dashurinë për gjuhën shqipe dhe lidhjet mes të rinjve shqiptarë në të dy shtetet.