Ka nisur Karnavali i organizuar nga “Golden Eagle” në Suharekë. Duke folur në pjesën zyrtare ku merrte pjesë dhe kryeministri Ramush Haradinaj, organizatori premtoi se këtë ngjarje tashmë tradicionale do ta bëjnë me përmasa ndërkombëtare.
Të pranishmit do të mund të argëtohen me performancat e mbi 20 grupeve pjesëmarrëse gjatë gjithë ditës.
E kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se kjo festë është bërë tashmë traditë e kësaj komune dhe mbledhë të gjitha gjeneratat, të rinjtë, fëmijët, por edhe të moshuarit.
“Theranda ka njerëz përparimtarë, njerëz që kanë ide, njerëz punëtorë dhe të civilizuar”, tha kryetari Muharremaj, duke shtuar se komuna do t’u jap përkrahje të gjitha bizneseve të kësaj komune.
Shaqir Palushi, pronar i “Golden Eagle”, tha se ky karnaval e ka origjinën nga karnavalet ilire dhe se synojnë që ta kthejnë në traditë këtë festival, por dhe t’i japin jehonë edhe jashtë Kosovës.
“Ne sot po e organizojmë në muajin qershor, sepse qershori për ne është muaji i lirisë dhe nuk ka më mirë sesa festës së lirisë t’ia shtojmë ngjyrat e karnavalit, ngjyrat këto që paraqesin respektin dhe dashurinë për njëri- tjetrit”, tha Palushi.
“Qëllimi ynë është që ta kthejmë në një ngjarje tradicionale dhe do ta kthejmë në ngjarje ndërkombëtare”, u shpreh Palushaj, raporton Ekonomia Online.
Ndër personalitetet që i është bashkuar Karnavalit ishte dhe zv.kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili vjen nga ky qytet.
Në faqen e tij në Facebook, Hoxhaj ka shkruar se Karnavali i përvitshëm i organizuar nga “Golden Eagle” është njëra nga ngjarjet më interesante që sjell një frymë të re kulturore në vendin tonë.
“Kënaqësi ta shoh vendlindjen time të mbledhë grupe nga vende të ndryshme të botës, duke promovuar kultura të reja dhe diversitet, si vlera demokratike dhe moderne të shoqërisë”, ka theksuar Hoxhaj, i cili ka postuar dhe disa fotografi nga kjo ngjarje.
Karnavali ka nisur me parakalimin e grupeve nëpër qendër të Suharekës dhe do të vazhdojë deri gati në mesnatë.
Grupet që do të marrin pjesë janë: “Baleti”, “Maskotat”, Shoqëria Artistike “Jehona”, Shoqëria Artistike “Koha”, Ansambli “Shota”, Artisti i rrugës “Karcocha”, “Mexico”, “Mirror Man”, banda frymore “Cesk Zadeja”, “Quest Style Crew” etj.
Dhe kulmi i natës pritet të jetë koncerti nga Ronela Hajati e Majki.