Me disa probleme teknike, megjithatë është mbajtur mbledhja e parë e Këshillit Prokruorial të Kosovës (KPK) me përbërjen e re e cila u drejtua nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, raporton Ekonomia Online.
Sipas kornizës ligjore në fuqi Këshilli përbehet nga shtatë anëtarë, ndërsa në këtë mbledhje të pranishëm ishin vetëm pesë anëtarë, por megjithatë të mjaftueshme për ta krijuar kuorumin.
Qalaj tha se kjo mbledhje ka karakter konstituiv dhe funksionalizues. Ndërsa anëtari Visar Krasniqi kërkoi që në rend dite të jetë edhe certifikimi i rezultatit të procesit zgjedhor të 1 nëntorit 2025, për anëtarin prokuror të Këshillit.
“Në mungesë të Kryesuesit të zgjedhur të Këshillit, drejtimi procedural i kësaj mbledhjeje realizohet nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në cilësinë e anëtarit ex officio, me qëllim të garantimit të vijimësisë institucionale, respektimit të procedurave dhe funksionimit të rregullt të Këshillit deri në zgjedhjen e organeve udhëheqëse. Kjo mbledhje ka karakter konstitutiv dhe funksionalizues, pasi shënon fillimin formal të funksionimit të Këshillit në konfigurimin e ri ligjor dhe institucional, dhe synon krijimin e parakushteve procedurale për funksionimin e qëndrueshëm dhe të ligjshëm të Këshillit. Qëllimi parësor i kësaj mbledhjeje nuk është trajtimi i çështjeve meritore apo kontestuese, por ndërtimi i bazës organizative dhe procedurale mbi të cilën Këshilli do t’i ushtrojë kompetencat e tij në vijim”, deklaroi ai.
Tutje ai tha se me thirrjen e kësaj mbledhjeje, fillimisht kishte kërkuar opinon ligjor nga zyra ligjore e KPK-së.
“Duke pasur parasysh rrethanat institucionale, ndryshimet ligjore dhe strukturore, si dhe çështjet e ngritura nga disa anëtarë përmes komunikimeve zyrtare, para thirrjes së kësaj mbledhjeje kam kërkuar opinion ligjor nga Zyra Ligjore e KPK-së, me qëllim të sigurimit të orientimit teknik dhe interpretimit të unifikuar procedural. Ky opinion ka karakter këshillëdhënës dhe shërben si udhërrëfyes teknik për respektimin e parimeve të ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe rendit procedural. Opinioni ka konfirmuar se mbledhja e parë e Këshillit me përbërjen e re duhet të trajtohet si mbledhje me karakter konstitutiv dhe funksionalizues, e orientuar në krijimin e parakushteve për funksionimin e rregullt institucional. Në këtë kuadër, rendi i ditës për këtë mbledhje është përcaktuar në përputhje me kornizën ligjore në fuqi dhe përfshin vetëm çështje që lidhen drejtpërdrejt me organizimin dhe funksionalizimin fillestar të Këshillit, si: Shqyrtimi dhe miratimi i Rregullores për zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit; Marrja e vendimit për shpalljen e thirrjes publike për kandidatura për Kryesues dhe Zëvendëskryesues të KPK-së. Ky rend i ditës është ndërtuar për të garantuar ligjshmëri, stabilitet institucional dhe siguri juridike, si dhe për të shmangur ndërmarrjen e veprimeve që mund të cenojnë procedurat gjyqësore në zhvillim apo parimet themelore të administrimit publik”, nënvizoi ai.
Ndërsa anëtari Visar Krasniqi kërkoi po ashtu që në rend dite të jetë edhe pika për plotësim/ndryshimin e Rregullores për zgjedhjen e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit të KPK-së në përputhje me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Sipas tij, tre anëtarë- Dardan Vuniqi, Arian Gashi dhe ai, kanë kërkuar këtë rend dite. Por, Krasniqi pretendon se ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, me veprimet e tij po pengon funksionimin e Këshillit.
Sipas Krasniqit, Elza Bajrami-Kastrati është votuar me 74 vota dhe se me këto veprime po veprohet kundër vullnetit të prokurorëve dhe po pengohet ushtrimi i mandatit të anëtares së zgjedhur.
“KPK-ja nuk mund të vonojë certifikimin kur s’ka shkelje procedurale”, tha Krasniqi.
Qalaj, tha se propozimi nuk lidhet me funksionimin fillestar.
“Propozimi nuk lidhej me funksionimin fillestar, për këtë arsye ajo nuk mund të vendoset si pika e parë e rendit të ditës”, tha ai.
Anëtari Arian Gashi tha se e përkrah propozimin e anëtarit Krasniqi
“Ajo çka unë e pashë nga fjalimi fillestar, thatë se keni një opinion ligjor, për hir të, unë nuk jam i pajisur me një opinion të tillë ligjor. Nesër ka një opinion të tillë, është mirë të na pajisni. Ne nuk mund të diskutojmë deri sa të pajisemi me këtë opinion, kam dy pyetje: nga ku ka ardhur ky opinion”, tha ai.
Qelaj tha se opinionin e ka kërkuar me kërkesën e tij.
“Për çështje e udhëheqjes së mbledhjes vetë kam kërkuar me autorizim, veta që të kërkoj një opinion që të jetë një aspekt teknik. Opinionin që e kam siguruar me kërkesën time do të jetë pjesë e dosjes së kësaj mbledhjeje. Do të ndihmoj në mbrojtjen dhe udhëheqjen e kësaj mbledhjeje”, tha ai.
Anëtari tjetër Dardan Foniqi e pati një keqardhje.
“Ndjej keqardhje për protagonizmin e këtij takimi. Do të shtoj tri fjalë për opinionin ligjor: duhet të mbështetet me karakter e procedurë ligjore, në rrethana të tjera ju mund të mos e shfaqni. Një opinion i karakterit të tillë s’mund të shërbejë. Kërkoj që të mos i pajisim parimet. Konsideroj që qëndrimet tona të respektohen”, tha ai.
