Shoqata “Kosova për Sanxhakun”, me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sporteve, ka organizuar simpoziumin shkencor “Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri”.
Ismet Azizi, kryetar i shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, ka përshëndetur profesorët të cilët kanë ardhur nga Novi Pazari, përfaqësuesin e ministrit të Kulturës dhe profesorët e tjerë, studiues nga rajoni, pjesëmarrës në këtë simpozium, raporton Ekonomia Online.
“Ky aktivitet që zhvillohet nën organizimin e Shoqatës së Sanxhakut dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, shënon një hap të rëndësishëm në fushën e shkencës, sepse do të vlerësojë drejt rezultatet shkencore deri më sot nga shkencëtarë shqiptarë e boshnjakë dhe do të hedhë dritë mbi kulturën tonë në përgjithësi dhe çështjen e lahutarëve në veçanti”.
“E kaluara jonë e përbashkët ka bërë që gjithmonë të jemi njëri pranë tjetrit në momentet më të vështira”.
Azizi ka treguar për të veçantat e këtij simpoziumi.
“Është e veçantë, sepse organizohet në Prishtinë, kryeqytetin i cili mban edhe sot shumë kujtime tona, pothuajse të gjithë të shkolluar. Pastaj, deri më tash kemi pasur ndonjë emision televiziv mbi Sanxhakun në përgjithësi, mirëpo, sot kemi specifikuar vetëm temën për Lahutarët e Sanxhakut”.
Ai ka thënë se një prej detyrave të të dyve është studimi i shkencës ku edhe sot jetojnë lahutarët tanë.
“Duhet të bashkëpunojmë sa më mirë dhe sa më sinqertë”.
Përfaqësuesi i ministrit të Kulturës, Valon Kashtanjeva, ka përshëndetur të pranishmit dhe ka përshëndetur këtë aktivitet duke e cilësuar shumë të rëndësishëm për kulturën tonë, raporton EO.
“Ministri ka përgëzuar veçanërisht ata që kanë bërë një punë madhore për këtë pjesë të kulturës sonë, që është pjesë e traditës. Ministria e Kulturës do jetë gjithmonë e gatshme për mbështetje të ngjarjeve të tilla kulturore”.
Ndërsa, profesori Adem Zejnullahu, ka hapur zyrtarisht simpoziumin shkencor “Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri”, me ç’rast tha se profesorët që kanë punuar në këtë hulumtim do të paraqesin kontributin e tyre dhe do të sjellin të reja të paraardhësve tanë.
“Ky simpozium është ndër më të rëndësishmit të kulturës së poezisë tonë. Të dy eposet, shqiptarë dhe boshnjakë, i karakterizojnë ngjajshmëri si në aspektin krijues ashtu edhe në atë interpretues, përgjatë shekujve deri në ditët e sotme”.
Ai ka thënë se rapsodët e dikurshëm kanë kënduar shqip, edhe pse të cilësuar boshnjakë.
“Një numër i rapsodëve të ashtuquajtur boshnjakë, sipas të dhënave kanë origjinë shqiptarë, kanë kënduar shqip”.
“Mbajtja e këtij simpoziumi ka për qëllim kryesor që të bëjë një vlerësim për gjendjen e këngës epike sot dhe në të kaluarën të të dyja popujve”.