Mjeshtrit e shahut nga Kosova dhe Sllovenia janë bërë bashkë me të rinj e të reja në simultantën e shahut që është duke u mbajtur me organizim të bankës NLB, Ambasadës sllovene në Kosovë, Klubin e Shahut “Drejtësia” dhe Federatën e Shahut të Kosovës.
Ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Bojan Bertoncelj, tha se qëllimi i këtij organizimi është mundësia e afrimit të lojës së shahut me të rinjtë.
Ai tha se shpreson që mjeshtri slloven të jetë fitues i kësaj simultante, raporton Ekonomia Online.
Ndërsa, dy mjeshtrit ndërkombëtarë të shahit, ai kosovar e slloven, Bedri Sadiku dhe Bogdan Podllesnik, përveç që thanë se shpresojnë që kjo lojë të kalojë sa më mirë, bënë thirrje që shahu të jetë edhe pjesë e shkollave në Kosovë.
Sipas tyre do të ishte me rëndësi pasi loja e shahut do të ndihmonte në rritjen e përqendrimit dhe të intelektualitetit te fëmijët.
I të njëjtit mendim është edhe deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca i cili është njëherësh edhe adhurues i kësaj loje.
Ai tha se është kënaqësi të luhet një lojë e tillë së bashku me dy mjeshtrit ndërkombëtarë të saj.
Pjesë e kësaj loje ishin edhe fëmijë të moshave të ndryshme.