Komuna e Rahovecit dhe OSBE kanë organizuar takim të përbashkët për të diskutuar buxhetimin gjinor në komunën e Rahovecit, me përfshirjen e drejtorëve të komunës, përfaqësuesve të grupit joformal të grave, organizatave të shoqërisë civile të komunës dhe të tjerëve.
Irene Scinto, zyrtare e lartë e programit në OSBE, tha se qëllimi i takimit është të përmirësohet më tej buxhetimi gjinor i komunës, duke pasur parasysh procesin aktual të hartimit të buxhetit vjetor për vitin 2018.
Në prezantimin fillestar, drejtori për buxhet dhe financa, përcolli mesazhin kyç të komunës dhe kryetarit të komunës Idriz Vehapi lidhur me këtë temë, se buxhetimi gjinor nuk nënkupton një buxhet të veçantë për gratë, por në fakt përfshirjen e nevojave të të dy gjinive në projektet dhe aktivitetet e ndryshme që zbatohen nga komuna, krahas transparencës më të madhe dhe raportimit për buxhetimin gjinor.
Drejtori për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, Munib Durguti, gjithashtu raportoi mbi përpjekjet e kësaj drejtorie drejt buxhetimit gjinor dhe arritjes së barazisë gjinore, qoftë në strukturat e kësaj drejtorie apo në ofrimin e shërbimeve të këtyre drejtori.
Ai përmendi projektet e ndryshme infrastrukturore të cilat janë duke u realizuar apo duke u planifikuar, e të cilat marrin parasysh nevojat specifike të të dy gjinive.
Ndërsa, drejtoresha e arsimit, Vjollca Vuçitërna, raportoi statistikat mbi strukturën e të punësuarve, numrin e nxënësve sipas gjinisë nëpër shkolla, por edhe kontributin e saj në rritjen e numrit të drejtorëve nga 3 në 5. Ajo gjithashtu deklaroi përkushtimin e drejtorisë për të siguruar mundësi të barabartë të punësimit për të dy gjinitë, si dhe shtjellimin e nevojave të veçanta të të dy gjinive, qoftë gjatë renovimeve të infrastrukturës ekzistuese, apo në ndërtimin e shkollave të reja.
Ramadan Rama, nga shoqata “Humaniteti”, shprehu gatishmërinë e tij që të bashkëpunojë me komunën në zbatimin e strategjisë për personat me aftësi të kufizuar, duke vënë në dispozicion tërë potencialin profesional kadrovik të kësaj shoqate.
Shoqata “Handikosi” në këtë tregoi për vështirësitë me të cilat janë duke u përballur që nga pavarsimi i saj.
Bajram Kryeziu nga kjo shoqatë kërkoi nga komuna që të mbështesë organizatat joqeveritare, posaçërisht duke pasur parasysh se kjo organizatë ofron shërbime personave me aftësi të kufizuar për të dy gjinitë.
Në këtë aspekt, drejtori për buxhet dhe financa njoftoi se është miratuar rregullorja për mbështetjen e organizatave qeveritare, ku kërkesa kyçe është që OJQ-të të konkurrojnë me projekte konkrete, të cilat do të shqyrtohen në përputhje me procedurat dhe kriteret e parapara me këtë rregullore, në mënyrë që të sigurohet objektivitet dhe barazi në ndarjen e subvencioneve.
Erlira Mullabazi, në emër të grupit joformal të grave të kuvendit komunal, prezantoi aktivitetet të cilat ky grup i ka kryer në kërkim të barazisë gjinore, përfshirë propozimin për çerdhe të fëmijëve në disa vende rurale, të cilat komuna ka vendosur t’i mbështesë dhe t’i përfshijë në buxhet.
Gjithashtu, grupi ka ndihmuar në organizimin e kontrolleve me mamografi mobile, si dhe kanë kontribuar në hartimin e strategjisë për gratë në biznes. Grupi joformal gjithashtu ka iniciuar fillimin e edukimit joformal për të rritur, përfshirë edhe edukimin profesional.
Qëllimi i këtyre aktiviteteve është t’u ofrohet mundësia të rriturve, posaçërisht femrave që të avancohen në karrierë apo të zhvillojnë karrierën e tyre.
Në anën tjetër, Sihëna Duraku nga OJQ SHL-Kosova tha se misioni i kësaj organizate është promovimi i aktivizimit dhe barazisë së të gjithëve dhe në këtë aspekt, organizata ka pasur aktivitete të ndryshme ndërgjegjësuese, përfshirë për temat si barazi gjinore dhe mos-diskrimini, përmes trajnimeve dhe aktiviteteve të ndryshme.
“Besoj fuqishëm se rinia është duke u vetëdijesuar mbi këto tema. Numri i pjesëmarrësve meshkuj ka qenë shumë më i madh para disa viteve, ndërsa në vitet e fundit numri i pjesëmarrësve femra është më i madh. Gjithashtu falënderoj drejtorinë për kulturë dhe mirëqenie sociale për bashkëpunim, por gjithsesi bashkëpunimi duhet rritur edhe më tej për të përmbushur nevojat e hisedarëve të ndryshëm”.
Takimi u përmbyll me njoftimin e drejtorit për buxhet dhe financa se komuna do të mbajë takimin përmbyllës të planifikimit buxhetor ditën e nesërme.