Në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe i Sportit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është mbajtur testi pranues për plotësimin e numrit të studentëve të rinj.
Në këtë fakultet testi është mbajtur vetëm me vajzat pasi në afatin e parë është plotësuar i gjithë numri për pranimin e studentëve djem.
Që të gjithë nxënësit i janë nënshtruar provimit pranues si dhe testit motorik në të cilën kandidatët për të qenë student duhet të dëshmojnë veten në aktiviteti fizik.
Nga nxënësit ky test nuk u konsiderua i vështirë. Kjo pasi një pjesë shumë e madhe e tyre merren me sport.
Testin pranues iu nënshtrua edhe xhudistja, Flaka Loxha. Loxha e cila javë më parë solli në Kosovë medaljen e argjendtë nga Kampionati Ballkanik i Xhudos.
Loxha tha se vet fakti që është marr me sport edhe më herët e ka shtyrë që të aplikoj për të qenë studente e këtij fakulteti.
“Këtë fakultet e kam zgjedhur për vet faktin se vetë jam sportiste dhe besoj se ky është drejtimi më i mirë për secilin sportistë në Kosovë. Testi nuk është shumë i vështirë po besoj për ata që merren me sport nuk duhet me pas asnjë problem. Kriteret për këtë test nga sportet e ndryshme për shembull vrapim, not e të tjerë”, ka thënë Loxha.
Diana Babatinca është një nga nxënëset që sot ka mbajtur provimin pranues. Babatinca e cila merret me volejboll, për Ekonomia Online tha se testi pranues nuk ishte i vështirë.
“Për mendimin tim po shkon shumë mirë, deri më tani është shumë mirë. Nuk është vështirë për neve, na që jena sportistë për shembull. Ndoshta që merrem me sport, unë me volejboll edhe kam dashtë me zgjedh këtë drejtim”.
Për mbarëvajtjen e testit dhe të gjitha kriteret që duhet plotësuar, tregoi edhe dekani i këtij fakulteti Musa Selimi.
Ai tha se janë mjaft të kënaqur për mbarëvajtjen e testit. Sipas tij nga ky test do të pranohen 25 vajza për të plotësuar numrin prej 50 sosh.
“Në këtë afat të shtatorit kemi vetëm grupin e vajzave dhe minoritetet. Arsyeja pse nuk kemi djem është se është plotësuar kriteri në qershor. Nga konkursi që kemi pas për 100 kandidatë, derisa të gjithë i kanë plotësuar kriteret bile kanë qenë një numër më i madh që e kanë kaluar pragun prej 50%. Sot kemi një numër të madh të vajzave, një numër prej 50 vajzave, në tri grupe për 25 vende dhe që është nju konkurrencë e shëndosh. Prapë i vlerësojmë njëjtë sikur në qershor”.
Selimi tha se përkundër faktit që kanë bërë disa herë kërkesa për përmirësimin e kushteve në këtë fakultet, kërkesa e tij nuk është realizuar.
“Ne e kem theksuar shumë herë që ky fakultet duhet të ketë hapësirë më të madhe, standarde më të larta. Ky objekt nuk i plotëson as për së afërmi kriteret. Jemi duke bërë përpjekje që të ndërtojmë objektin e ri. Kemi bërë kërkesa të vazhdueshme qe disa vite, kemi hasur në vesh të shurdhër dhe nuk e kemi gjendjen qysh ne dëshirojmë dhe qysh e meritojnë kandidatët apo studentët tanë”.
Testi për plotësimin e numrit të studentëve është mbajtur edhe në Fakultetin e Edukimit.
Në këtë do të duhej të plotësohej numri i studentëve nga minoritetet. Mirëpo edhe përkundër faktit që në këtë kategori kanë qenë të lira 23 vende, për të qenë pjesë e Fakultetit të Edukimit kanë aplikuar vetëm tre student prej të cilëve dy kanë mbajtur provimin.
Prodekani i Fakultetit të Edukimit, Demë Hoti, tha se kanë pritur që një numër më i madh i nxënësve të konkurrojnë për të qenë pjesë e këtij fakulteti.
Edhe pse numri i aplikuesve ka qenë shumë i vogël, sipas prodekanit, ky fakultet është përgatitur me kohë për mbarëvajtjen sa më të mirë të këtij testi.
“Në fakultetin e Edukimit me konkurs plotësues janë paraparë gjithsej 23 vende për grupet minoritare. Në tre programe, programin fillor kemi pas 12 vende të caktuara, në programin parashkollor gjashtë dhe në pedagogji të përgjithshme pesë. Megjithatë për këto 23 pozita kanë kandiduar tre kandidatë, dy në programin fillor dhe një në parashkollor”.
“Ne kemi pritur që do të ketë shumë më shumë të interesuar, kësaj radhe kemi pasur vetëm dy kandidatë të paraqitur nga të cilët dy kanë dal në provim sot dhe njëri prej kandidatëve ka munguar. Nuk i dimë arsyet, ne jemi në pritje, testin e kam këtu, kështu që do të ia mundësojmë ndoshta nëse ka arsye madhore, do t`ia mundësojmë edhe më vonë me dal në provim”, ka thënë Hoti.
Në afatin e dytë për pranimin e studentëve të rinj do të pranohen 2461 studentë, prej të cilëve 1827 do të jenë të rregullt dhe 634 me korrespodencë.