Ministri i Financave Bedri Hamza me bashkëpunetor e vizitoi Odën Ekonomike të Kosovës, ku u prit nga Kryetari Safet Gërxhaliu.
Në këtë takim mjaft miqësor u bisedua për avansimin e dialogut publiko-privat dhe kontributin e këtij dialogu në politikat fiskale të marrura nga Ministria e Financave të Republikës së Kosovës si një reformë për të mbështetur sektorin privat e në vecanti sektorin prodhues dhe atë të shërbimeve softwerike.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu e falenderoi ministrin për gatishmerinë dhe besueshmërinë për të bashkëpunuar me OEK, si një ndër instituticionet ombrellë të përfaqësimit të interesave të komunitetit të biznesit vendor, qoftë në aspektin e brendshëm por edhe drejt ndërkombetarizimit të ndërmarrësisë vendore.
Si Odë Ekonomike e Kosovës fuqishëm i mbështesim reformat ligjore që paraqesin siguri juridike, qoftë për bizneset vendore por edhe për investitorë të huaj.
Eshtë e dëmshme të mbështetën iniciativa ligjore nga grupe të ndryshme vetëm për përfitime politike dhe mbrojtjen e interesave të grupeve të caktuara.
Politizimi i këtyre proceseve reformuese e dëmton Kosovën qoftë në aspektin ekonomik, juridik por edhe në imazhin e saj prandaj duhet të mbështetën reformat që bazohen në dialog, partneritet dhe kjo qasje që e kemi ndërtuar viteve të fundit me Ministrinë e Financave me qëllim që legjislacioni të jetë në funksion të zhvillimit, në vecanti të sektorit privat si garancë e stabilitetit politik, social, integrues e mbi të gjitha do të ndikojë në përmirësimin e imazhit ashtu të dëmtuar të Kosovës.
Ministri Hamza e falenderoi OEK-un dhe Kryetarin Gerxhaliu për bashkëpunim dhe argumentim profesional të nevojave për ndryshime ligjore.
Hamza i prezantoi efektet e këtyre 45 ditëve të implementimit të politikës fiskale, ligjet tatimore që janë në procedurë, themelimin e grupit të përbashkët të punës për masat mbrojtëse tatimore për prodhuesit tanë dhe përgaditjen për masat e reja fiskale.
Ai tha se ky angazhim solli 150 vendime të zgjedhura, 50 kërkesa në shqyrtim dhe 80 kërkesa të tjera që do të shqyrtohen për lehtësime tatimore në dinamikë kohore shumë të shpejtë. Nga tatimi doganor për lëndën e parë janë liruar 357,605.86 Euro vlerë, ndërsa nga TVSH-ja për lëndë të parë jane liruar 2.9 mil Euro ndërsa në periudhën e njejtë të vitit të kaluar ka pasur afër 1.3 milion Euro, dhe sic shihet ka një rritje prej 1.7 mil Euro me shumë lirime krahasuar me vitin paraprak që deshmon se kemi shtim të prodhimitarisë vendore.
Linja të prodhimit të liruar nga tatimi doganor dhe TVSH-ja janë në vlerë 561,982 Euro, ndërsa, lirime nga tatimi i akcizës për lëndët ndihmëse janë afër 1.2 milion Euro si dhe paisje të IT janë liruar në vlerë prej 50.000 Euro.
Hamza poashtu ceku se qëllimi jonë është që t’i bëjmë ndryshimet e duhura në të mirë të biznesit tonë, t’i freskojmë me dispozitat e fundit të Direktivave të BE-se, dhe këto ligje të kenë një qëndrueshmëri më të gjatë në implementimin që paraqet një siguri të madhe për investitorët tanë dhe të huaj se ligjet nuk ndryshohen në periudha të shpeshta kohore.
Ministri Hamza ndër të tjerash shtoi se është i përkushtuar dhe e ka objektivë zhvillimin e sektorit privat dhe me këtë rast në muajin Qershor ka plane t’i fus në fuqi masat e reja me rishikimin e buxhetit.
Importi i prodhimeve të huaja është shumë i lartë dhe kjo sjell deri te një deficit, kjo cështje u shqyrtua në mes të palëve dhe u tha se është më se e domosdoshme aplikimi i masave ekonomike në ndryshimin e këtij raporti, eksport-import.
Gërxhaliu shpreh konsideratë për ministrin Hamza dhe digasterin që udheheq për një orientim pro-prodhim dhe mbështetje të sektorit privat dhe në këtë drejtim duhet të vazhdohet ky bashkëpunim që krahas mbështetjës të kemi edhe vetëdijësim të bizneseve dhe qytetarëve në luftë kundër informalitetit.
Cdo reformë juridike e ka koston e vet që ndikon në të hyrat buxhetore, prandaj jemi te mendimit se vetëm lufta kundër ekonomisë së kriminalizuar mund të zbus efektet në buxhet dhe të gjenerojë efekte pozitive të ndërsjellta.