Gjykata e Apelit e Kosovës e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin D.S (Dejan Sllaviq).
Në këtë mënyrë, Apeli ka refuzuar ankesën e avokatit të tij mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 07.05.2018.
D.S. dyshohet nga ana e prokurorisë se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” sipas nenit 142 lidhur më 22 të Kodit Penal të RSFJ-së, aktualisht e paraparë me nenin 153 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe aktet ndërkombëtare të zbatueshme në vend.
Gjykata e Apelit gjen se gjykata e shkallës se parë ka dhënë arsye të mjaftueshme, mbi bazën ligjore për të cilën ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tij, konform dispozitave te nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës se Kosovës.
Dejan Sllaviq (44), i dyshuar për krime lufte ndaj shqiptarëve në Kosovë, u arrestua më 5 maj në pikëkalimin kufitar midis Kosovës e Serbisë, Jarinje, autoritetet e Kosovës.
Dejan Sllaviq deri më 2003 jetonte në Obiliq, ndërsa aktualisht jetonte në Llazarevac (Serbi). Ai u arrestua derisa po vinte në drejtim të Kosovës në pikëkalimin kufitar midis dy vendeve, Jarinje.