Mbi 1.3 miliard € të pensioneve në rrezik

Prishtinë | 05 Sht 2016 | 11:16 | Nga

Me një të ngritur të dorës deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mund ti lënë pa pensione 529 mijë qytetarë të Kosovës. Mbi 1.3 miliardë euro të kursyera në Fondin Pensional të Kosovës, po vihen në rrezik me ndryshimet që pritet t’i bëhen, këtë vit, ligjit për pensione.

Së paku kështu vlerësojnë njohësit e financave dhe shihet në vetë format e reja të propozuara për investimin e këtyre mjeteve nga Qeveria e Kosovës.

Derisa deri më tani lejohej investimi i parave vetëm në instrumente financiare tepër të sigurta, të ranguara në bazë të vlerësimeve kreditore në shkallë AA e më lartë, tani paratë e pensioneve parashihet që të investohen edhe në obligacione të vlerësuara “BBB-”, të cilat nuk garantojnë siguri të madhe të parave.

Madje, sipas njohësve të ekonomisë investimet në këto kategori dyshohet se shkaktuan edhe krizën globale financiare në vitin 2008.

Por, në Ministrinë e Financave të Kosovës, thonë se arsyeja e vetme e ndryshimit të Ligjit Nr.04/l-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/l-115 dhe Ligjin nr. 04/l-168, është rritja e tavanit të investimit të mjeteve të Fondit në letrat me vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Arsyeshmëria e plotësim ndryshimeve ndërlidhet me kufizimet që i ka Ligji aktual. Konkretisht, neni 9.10 i këtij Ligji thotë se FKPK brenda një viti kalendarik do të investojë në Letra me Vlerë të Republikës së Kosovës jo më shumë se 50% të kontributeve bruto të vitit të kaluar. Ka një dykuptimësi sa i përket shumës vjetore të lejuar për investim – a nënkupton shuma e lejuar vjetore (i) vetëm investimet e reja, apo (ii) investimet e reja dhe ri-financimet e instrumenteve që maturojnë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave dhënë Gazetës Fjala.

Me fjalë tjera, nëse gjatë vitit 2013 FKPK ka investuar 60 milionë euro në Bono Thesari 12 mujore (që maturojnë në 2014) dhe për vitin 2014 i lejohet investim prej 60 milionë eurove bazuar në formulën prej 50 për qind të kontributeve bruto, sipas interpretimeve më lartë FKPK do të mund të kishte portofol prej (i) 120 milionë euro (60 milionë euro të ri-financuara dhe 60 milionë euro të reja), ose (ii) 60 milionë euro (60 milionë euro të rifinancuara dhe asnjë investim i ri).

Deri më tani sipas MF-së bordi i FKPK, për të qenë në anën e sigurt të interpretimit, ka vendosur që të jetë më konservativ, gjë që ka kufizuar investimin e FKPK në Letrat me Vlerë të Republikës së Kosovës.

“Prandaj, për të eliminuar këtë dykuptimësi, ka qenë e nevojshme që të bëhet ndryshimi i Nenit në fjalë në mënyrë që të qartësohet se investimi i paraparë me Nenin 9.10 parasheh investim të ri shtesë, kurse ri-financimi nuk llogaritet si investim i ri”.

Në ministrinë e Financave vlerësojnë se projektligji si element kryesor ka zgjerimin e mundësive për investimin e mjeteve në letra me vlerë të Republikës së Kosovës, si dhe zgjerimin e bazës së instrumenteve tjera të lejuara për investim, në veçanti letrat me vlerë të korporatave ose institucioneve financiare ndërkombëtare, depozita të afatizuara në bankat vendore dhe ndërkombëtare, fonde investive, dhe marrëveshje të ri-blerjes.

Ndryshimet ligjore rrezikojnë kursimet pensionale

Drejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Sociale (STRAS), Ibrahim Rexhepi, vlerëson se ndryshimet e parapara vetëm sa do ta komplikojnë ligjin dhe ngritin shkallën e rrezikut për mjetet – kursimet pensionale të investuara.

“Posaçërisht se po pranohen edhe investime që bartin shkallë të lartë të rrezikut, në kohën kur dihet se shumë investitorë, madje edhe fonde kosovare me potencial të mundshëm për investime, nuk janë shumë të interesuara të investojnë në instrumente me shkallë të lartë të rrezikut, apo me kthim të ulët”, thotë Rexhepi.

Sipas tij, ato më me dëshirë mjetet i mbajnë në BQK, ku edhe pse fitojnë interes të ulët, së paku kanë siguri.

Tjetra, Rexhepi thotë se ligji nuk ka nevojë që të merret me aq shumë detaje, meqenëse mban peng politikën investuese të Trustit.

“Dihet se gjendja në treg është shumë fleksibile dhe ndryshon prej momenti në moment, ndërkaq me një ligj të tillë nuk mund të përcillen ndryshimet që ndodhin. Do të ishte mirë që politikat investuese të jenë problem i mekanizmave të Trustit, ndërsa ata të kenë detyrim ligjor që kthimi i inevstimeve të jetë sa më i lartë”.

Me ligjin aktual dhe me ndryshimet që propozohen, Qeveria e Kosovës synon që 30 për qind të parave t’i fusë në buxhet, që llogaritur sipas shumës aktuale që Trusti ka në menaxhim i bie që në letra me vlerë të qeverisë të investohen mbi 333 milionë euro.

Këtu, njohësi i ekonomisë thotë se është një kundërthënie që do të dalë nëse miratohen këto ndryshime: Ligji kërkon që instrumentet në të cilat investohet të kenë vlerësimin kreditor të një agjencie të mirënjohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht.

“A do të thotë se e njëjta duhet të vlejë edhe për letrat me vlere të Qeverisë së Kosovës? Nëse jo, atëherë ajo nuk guxon të bëjë investime të këtilla, meqenëse ato nuk i nënshtrohen asnjë vlerësimi të tregut, janë letra që vlejnë vetëm në tregun e brendshëm, askush nuk i njeh, dikujt mund t’i digjen, e dikush mund të fitoj”.

Pra, sipas Rexhepit Qeveria, përmes Kuvendit do ta detyroj Trustin që 30 për qind të mjeteve t’i investoj në letrat me vlere të saj, ndonëse kjo bie ndesh me kërkesën që “Vlerësimi kreditor duhet të jetë nga një agjenci e mirënjohur ndërkombëtarësh për vlerësim kreditor, dhe nënkupton edhe vlerësimet ekuivalente që mund të shënohen me grada apo shkronja ndryshe”.

Ai nuk është kundër investimeve të parave të pensioneve në Kosovë, por thotë se fillimisht qeveria duhet të ketë një program që këto mjete të investohen në projekte që garantojnë kthim, e jo në paga dhe në pensione.

“Po ashtu, garancitë për paratë duhet të jenë shumë të larta, meqenëse ato para “tërhiqen” nga kontot individuale të qytetarëve të Kosovës, të cilëve në asnjë mënyrë nuk do të duhej që edhe njëherë t’iu përsëritet ajo që ua bëri Serbia me pensionet. Unë nuk them se qeveria ka këtë qëllim, por nuk po shoh se ka programe investuese të cilat garantojnë kthim të lartë dhe të sigurt”, pohon Rexhepi.

Ligji aktual:

9.9. Përpjesëtimi maksimal i mjeteve të tërësishme të pensionit, që mund të investohen në mjetet e një emetuesi, duke përfshirë llogaritjen e mjeteve të personave të ndërlidhur, është pesë për qind (5%) për aksione, dhjetë për qind (10%) për obligacione të vlerësuara AA apo më lartë, dhe deri në tridhjetë pë qind (30%) të totalit të mjeteve mund të investohen në Letrat me Vlerë të Qeverisë së Kosovës.

9.10. Pa rënë ndesh me dispozitat e këtij Ligji, në të kundërtën, FKPK-ja, në çdo vit kalendarik të dhënë, do të investojë në letrat me vlerë të emetuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, jo më shumë se një shumë ose shuma të barabarta me pesëdhjetë (50) për qind të të ardhurave bruto të kontributeve nga viti kalendarik i mëparshëm.

Ndryshimet e parapara:

Neni 9, paragrafi 9.9 i ligjit bazik, ndryshohet si në vijim:

9.9. Përpjesëtimi maksimal i mjeteve të tërësishme të pensionit, që mund të investohen në mjetet e një emetuesi, duke përfshirë llogaritjen e mjeteve të personave të ndërlidhur, është pesë për qind (5%) për aksione, tridhjetë për qind (30%) në Letrat me Vlerë të Qeverisë së Kosovës, njëzet për qind (20%) për obligacione të vlerësuara “AA-” ose më lartë, dhjetë për qind (10%) për obligacione të vlerësuara “A-” ose më lartë, pesë për qind (5%) për obligacione të vlerësuara “BBB-” ose më lartë, dhe një për qind (1%) për obligacione të vlerësuara “BB+” apo më ulët. Përpjesëtimi maksimal I mjeteve të tërësishme të pensionit, që mund të investohen në obligacione të vlerësuara “BB+” apo më ulët nuk duhet të tejkalojë pesë për qind (5%) të mjeteve të tërësishme.

Vlerësimi kreditor duhet të jetë nga një agjenci e mirënjohur ndërkombëtarësh për vlerësim kreditor, dhe nënkupton edhe vlerësimet ekuivalente që mund të shënohen me grada apo shkronja ndryshe.

Neni 9, paragrafi 10 i ligjit bazik, ndryshohet si në vijim:

9.10. Kufizimet në investime në një emetues të vetëm të parapara në paragrafët 9.8 dhe 9.9 të këtij ligji nuk vlejnë për investimet në një instrument për investime të hapura apo për investimet në fondet e tregtuara në bursa (“ETFs”), me kusht që përpjesëtimi i mjeteve të tërësishme të pensionit të investuara në një emetues të vetëm të jenë në përputhje me nenet 9.8 dhe 9.9 të këtij Ligji.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme