Mbi 1.700 mbështetës të Navalnyt u arrestuan në protestat nëpër Rusi

Prishtinë | 22 Pri 2021 | 09:46 | Nga Ekonomia Online

Më shumë se 1.700 protestues janë arrestuar të mërkurën nga policia ruse në të gjithë vendin gjatë protestave për lirimin e liderit të burgosur të opozitës, Alexei Navalny.

Protestat mbarëkombëtare u mbajtën vetëm disa ditë pasi autoritetet ruse filluan procedurat për të mbyllur Fondacionin Kundër Korrupsionit të Navalnyt (FBK), me pretendimin se ajo është një organizatë “ekstremiste”.

Për shumë vite, FBK e Navalnyt e ka tronditur Kremlinin me hetimet e saj për pasurinë e pashpjegueshme të zyrtarëve të lartë, përfshirë atë të presidentit rus, Vladimir Putin.

“Është e qartë pse kemi ardhur sot. Ne duam liri për Navalnyn”, i tha REL-it, Evgeny Fartuk, një inxhinier 35-vjeçar i cili iu bashkua protestës në Moskë.

Organizata Human Rights Watch (HRW) më 22 prill dënoi goditjen ndaj protestuesve.

“Krahasuar me protestat në janar dhe shkurt, në ato të 21 prillit kishte më pak dhunë nga ana e policisë, por goditja e vazhdueshme e autoriteteve ndaj lirisë së tubimit është plotësisht e pajustifikuar”, tha Damelya Aitkhozhina nga Human Rights Watch.

Navalny gjendet në burg dhe gjendja e tij shëndetësore është e përkeqësuar.

Ekipi i Navalnyt organizoi protesta në më shumë se 160 qytete ruse për të tërhequr vëmendjen për gjendjen e tij shëndetësore. Protestuesit kërkojnë që autoritetet e burgut t’ia mundësojnë mjekimin nga ana e mjekëve të pavarur.

Më 19 prill, Alexei Liptser, avokati i Navalnyt, i cili është në grevë urie tash e tri javë, ka thënë se klienti i tij duket “keq”, duke rritur shqetësimet për shëndetin e tij.

Navalny u arrestua më 17 janar pas kthimit të tij në Rusi nga Gjermania, ku ai mori trajtim pas helmimit në Siberi në muajin gusht.

Ai ka insistuar që helmimi i tij me një agjent nervor Noviçok ishte urdhëruar direkt nga presidenti rus Vladimir Putin. Kremlini ka mohuar çdo rol në helmim.

Në shkurt, një gjykatë në Moskë vendosi që Navalny kishte shkelur kushtet e një lirimi me kusht nga një vendim i mëhershëm gjyqësor. Gjykata vendosi se ai duhet të kryejë pjesën tjetër të burgut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme