Të licencuar nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe në bashkëpunim me Sindikatën për Arsim Shkencë e Kulturë, ligjëruesit e Departamentit të Gazetarisë së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë vazhduar trajnimin e mësimdhënësve në fushën e edukimit medial.
Deri me tani janë certifikuar rreth njëmijë mësimdhënës nga e gjithë Kosova, të cilët kanë marrë njohuri bazike për përdorimin e mediave, përmabjtet mediale dhe zhvillimin e gjykimit kritik gjatë përdorimit të tyre.
Ligjëruesit Remzie Shahini – Hoxhaj, Gëzim Qerimi, Faton Ismajli, Alban Zeneli, Muhamet Jahiri, Dren Gërguri dhe Blerta Blakaj, vetëm gjatë muajit shtator dhe tetor kanë mbajtur trajnime në shumë qytete të Kosovës si: Prishtina, Gjilani, Podujeva, Mitrovica, Ferizaj, Vitia, Peja, Gjakova, Vushtrria e Drenasi.
Këto trajnime i ka mbështetur dhe i ka cilësuar si të domosdoshme Sindikata Evropiane për Arsim, pjesë e sëcilës është edhe SBASHK-u.
Trajnimi me temën “Edukimi medial dhe roli i tij në zhvillimin shoqëror dhe demokratik”, po konsiderohet si i nevojshëm dhe i domosdoshëm nga ana e mësimdhënësve, ndaj të cilëve përvoja e fituar do të shërbejë për thellimin e njohurive për përdorimin e mediave edhe për aspekte mësimore.
Sipas tyre, lënda “Edukimi medial”, duhet të jetë obligative në ciklin parauniversitar, sepse ndikimi i teknologjisë dhe medieve tek nxënësit është duke u vërejtur edhe në mësimnxënie.
Lënda mësimore “Edukimi medial”, është pjesë e kurrikulave në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian në shkollimin parauniversitar, ndërkaq, është edhe njëri nga standardet që duhet të plotësohet si kusht nga ana e vendeve që aspirojnë integrimin në familjen evropiane.
Në kuadër të shtrirjes së projektit për “Edukimin medial”, ligjëruesit e Departamentit të Gazetarisë kanë arritur marrëveshje me menaxhmentin e Universitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka”, që të organizojnë trajnim për studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Edukimit, projekt i cili do të fillojë gjatë muajit nëntor.
Që nga viti 2010, ka pas përpjekje nga ana e Departamentit të Gazetarisë për vetëdijesimin shoqëror për nevojën e futjes së lëndës së Edukimit medial në shkolla.
Mirëpo, një gjë e tillë nuk e ka pas vullnetin e institucioneve të arsimit, e as të qeverive të kaluara. Ky trajnim në bashkëpunim më SBASHK-un do të vazhdojë në të gjitha komunat e vendit.