Pasuria e kabinetit qeveritar, por edhe e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kalon shifrën prej 1 miliard eurosh. Prej tyre vetëm një ministër dhe dy deputetë kanë deklaruar rreth 925 milionë euro pasuri, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit (AKKK) ka nxjerrë në pah faktin se sa të pasur janë politikanët e shtetit më të varfër në Evropë.
Sipas një kalkulimi të deklarimeve zyrtare të pasurisë del se vetëm ministrat e qeverisë “Haradinaj” dhe 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbi 1 miliard euro pasuri.
Megjithatë, nga kjo shumë e madhe e pasurisë së zyrtarëve publikë vetëm një ministër dhe dy deputetë të Kuvendit të Kosovës i kanë deklaruar rreth 925 milionë euro pasuri.
Më i pasuri nga të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë është zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, i cili ka deklaruar mbi 203 milionë euro prona të paluajtshme jashtë Kosovës, mbi 10.5 milionë euro pasuri të luajtshme, duke përfshirë këtu një avion dhe disa vetura, rreth 500 milionë euro aksione në biznese të ndryshme, kryesisht jashtë vendit, si dhe rreth 5 milionë euro para të gatshme në banka komerciale.
Pasuria e përgjithshme e Pacollit del të jetë rreth 720 milionë euro.
Pas Pacollit, i cili pasurinë e ka krijuar jashtë vendit, deputeti i LDK-së Ramiz Kelmendi është politikani i dytë më i pasur në Kosovë.
Kelmendi ka deklaruar rreth 120 milionë euro aksione në kompaninë e tij “Elkos”, si dhe në prona të paluajtshme.
Ndërsa deputeti i AAK-së Gani Dreshaj është politikani i tretë më i pasur në Kosovë, i cili njëjtë si Pacolli pasuri të madhe të paluajtshme posedon jashtë Kosovës, përcjell gazeta “Zëri”.
Dreshaj ka deklaruar mbi 41 milionë euro pasuri të paluajtshme dhe mbi 44 milionë euro aksione të bizneseve të ndryshme jashtë Kosovës, por edhe në vend.
Pasuria e përgjithshme e Dreshajt arrin në rreth 85 milionë euro.
Vetëm këta tre politikanë, Pacolli, Kelmendi dhe Dreshaj, kanë deklaruar pasuri të përgjithshme në vlerë prej rreth 925 milionë eurosh, shkruan tutje gazeta “Zëri”.
Gjithashtu shumica e deputetëve, e ministrave, por edhe kryeministri Haradinaj kanë deklaruar pasuri në vlerë prej mbi 1 milion eurosh.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar pasuri të përgjithshme prej rreth 750 mijë eurosh, ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli e ka deklaruar një banesë në vlerë prej rreth 100 mijë eurosh e zero euro e ka deklaruar një lokal afarist prej 270 metra katrorësh, ndërsa për të njëjtin shkruan më poshtë në formularin e deklarimit të pasurisë se ka detyrime financiare në vlerë prej mbi 110 mijë eurove.
Përndryshe, Kosova është vendi më i varfër në Evropë, përderisa ka politikanë shumë të pasur, për të cilën gjë kanë raportuar disa herë mediet ndërkombëtare, duke e ndërlidhur pasurimin e shpejtë të politikanëve me shkallën e lartë të korrupsionit në vend, shkruan gazeta “Zëri”.
Sipas statistikave zyrtare, shkalla e papunësisë dhe e varfërisë në vend sillet rreth 30 për qind, përderisa shumë të rinj po ikin nga vendi për të punuar në vende të ndryshme të Evropës pasi po pajisen me viza pune në ambasadat e huaja në Prishtinë në mungesë të vendeve të punës në Kosovë.