Mbi 10 mijë votues kanë votuar në përfaqësitë diplomatike, KQZ: Procesi po zhvillohet në 30 misione në 18 shtete

Prishtinë | 06 Qer 2026 | 14:06 | Nga Drita Dërmaku

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës po zhvillohet në të gjitha misionet e planifikuara, ndërsa deri në orën 13:00 kanë votuar 10,804 shtetas të regjistruar, raporton Ekonomia Online.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencën e dytë për media, tha se me hapjen e vendvotimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, procesi tashmë është aktiv në të gjitha përfaqësitë diplomatike.

“Me fillimin e votimit në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, ju njoftojmë se tashmë procesi i votimit është duke vazhduar në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës”, deklaroi Elezi.

Sipas tij, votimi po zhvillohet në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës.

Duke prezantuar të dhënat e deritanishme, Elezi tha se pjesëmarrja ka qenë afër 39 për qind.

“Sipas të dhënave nga 26 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00 nga 27,724 votues të regjistruar, kanë votuar 38.97 për qind apo 10,804 votues”, bëri të ditur ai.

Zëdhënësi i KQZ-së rikujtoi se të drejtën e votës në përfaqësitë diplomatike e kanë vetëm shtetasit që paraprakisht janë regjistruar për këtë formë votimi.

“Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë sot, 6 qershor 2026, pasi në listën votuese e cila është dërguar në përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit”, theksoi Elezi.

Ai njoftoi gjithashtu se në përgjithësi votimi po zhvillohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës.

“Në përgjithësi, votimi do të zhvillohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme. Numri i përgjithshëm i shtetasve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 27,724 votues”, tha ai.

KQZ ka paralajmëruar se konferenca e radhës për media lidhur me ecurinë e procesit të votimit në përfaqësitë diplomatike do të mbahet në orën 20:00.

Të ngjashme