Klubi i notit “Termopan” në bashkëpunim me Federatën e Notit dhe Shoqatën “Down Syndrome” kanë organizuar garat e notit për personat me Down Syndrome.
Në këto gara marrin pjesë mbi 100 pjesëmarrës nga Amerika, Britania e Madhe, Suedia, Turqia, Estonia, Irlanda, Romania, Shqipëria, Maqedonia dhe Danimarka kanë arritur në Kosovë për të marrë pjesë në gara.
Pjesë e këtij aktiviteti është edhe presidenti i Organizatës Ndërkombëtare Down Syndrom të Notit, Geoof Smedley.
Ai tha se ky është një hap i madh për Kosovën dhe ky aktivitet i jep mundësi shumë të mirë klubit të notit “Termopan” në një të ardhme të afërt.
Lulzim Zhdrella, kryetar i klubit të notit “Termopan” tha se kjo garë është organizuar për nder të kampiones, Medina Surdulli.
“Jemi tejet të lumtur dhe të priviligjuar që kemi arritur të organizojmë një garë të tillë, të parën në Ballkan. Kosova ka vetëm një garuese, Medina Surdullin, dhe mund të them se e gjithë kjo garë me mbi 100 pjesëmarrës nga 10 shtete është organizuar për nder të kampiones tonë, Medinës”.
“Vullneti i saj dhe dëshira për të qenë e artë në Republikën e Kosovës ka bërë që ajo të punojë me trajnerin Enver Haradinaj muaj të tërë”, tha Zhdrella.
Arjeta Gashi, menaxhere e Medina Surdullit, ka njoftuar se është përgatitur një agjendë mjaft e ngjeshur ku janë angazhuar që pjesëmarrësve t’ua bëjnë sa më atraktive edhe pjesën e programit social.
“Një vizitë në shpellën e Gadimes, një vizitë Shoqatës Down Syndrome në Prizren, dhe më e rëndësishmja do të jetë Gala Mbrëmja, e cila do të organizohet pas përfundimit të garave, me datën 21 maj 2018. Me këtë rast kemi ftuar edhe ambasadorë të shteteve që kanë përfaqësues dhe kemi konfirmime nga disa ambasada, institucione që do të na shoqërojnë në atë mbrëmje për t’i argëtuar garuesit tanë me sindromën Down”, tha Gashi.