Gjatë shqyrtimit të raportit të Auditorit të Përgjithshëm në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrje Financiare për ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), kryetari i këtij Komisioni, Faton Topalli tha se në bazë të të gjeturave nga raporti del se ka keqpërdorime të mëdha buxhetore dhe financiare në ministrinë e Kulturës.
Topalli i cili vjen nga radhët e LVV-së tha se në bazë të këtij raporti, ka punësime të parregullta në ministri të Kulturës, që janë bërë me rreth 100 punësime. Sipas tij, në vitin 2014 janë 62 punësime, ndërsa në vitin 2015 janë 38, edhe përkundër vërejtjeve të Auditorit të Përgjithshëm.
Ai tha se karshi opinionit të kualifikuar dalin edhe një varg problemesh tjera nga ky raport. Topalli ka numëruar shkurtimisht disa prej problemeve që dalin nga raporti i auditimit, i cili tha se ka të bëjë me përdorimin e subvencioneve, ku gjatë viteve të kaluara 6 milionë euro subvencione janë shpërndarë për projekte të ndryshme pa u arsyetuar fare.
“Pastaj kemi keqpërdorim të buxhetit të Ministrisë, p.sh. 249 mijë e 313 euro për mallra dhe shërbime janë paguar nga mjetet e parapara për subvencione dhe transfere. Tjetra, është pastaj se nga mallrat dhe shërbimet 52 mijë e 232 euro janë paguar për subvencione dhe transfere dhe 7 mijë e 107 euro për paga dhe mëditje. Nga pagat dhe mëditjet janë paguar pastaj 69 mijë 671 euro për mallra dhe shërbime. Pra kemi një kaos në kuptimin e shfrytëzimit të buxhetit”, tha Topalli.
Në anën tjetër ministri Kujtim Shala ka sqaruar sa i përket subvencioneve me vlerë prej 6 milionë euro, duke e arsyetuar se kjo është periudhë 2010-2014.
“Unë nuk kam vërejtur asnjë keqpërdorim financiar me atë sa kam arritur të merrem me çështje drejtpërdrejt gjatë vitit 2015. Ato që i theksoni ju si keqpërdorime vërtet janë bartje brenda buxhetit. Ka raste që kontratat për shërbime të veçanta ose kontrata për punë mbi vepër të cilat janë bërë nga subvencionet, dhe ka vetëm një arsye. Sepse pjesa më e madhe e njerëzve që angazhohen ato nuk janë punësime, janë angazhime. Nuk janë punë të rregullta. Dhe janë për shkak të specifikave të Ministrisë së Kulturës”, tha ministri Shala.
Ai ka folur edhe për palestrën në Istog që ditë më parë u raportua për shkelje gjatë fazës sa ishte duke u ndërtuar. Ai tha së për këtë rast ka krijuar një grup punues dhe tregoi se ka nisur procedurat për shkëputjen e kontratës me kompaninë kontraktuese.