Vijon të rritet ndjeshëm bilanci i viktimave nga koronavirusi, i njohur ndryshe edhe si Covid-19 nga OBSH.
Autoritetet kanë konfirmuar këtë mëngjes se numri i viktimave ka shkuar në 1,874, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit virusi vdekjeprurës u ka marrë jetën 105 personave në të gjithë Kinën.
Po ashtu është rritur ndjeshëm edhe numri i të prekurve nga koronavirusi, duke shkuar në mbi 73,000.
Vetëm katër vdekje janë regjistruar jashtë Kinës. Vdekja e parë që ndodhi jashtë Azisë u raportua të shtunën në Francë, ku një turist 80-vjeçar që trajtohej nga 25 janari nga koronavirusi ndërroi jetë.
Numri i vdekjeve nga koronavirusi është më i lartë se ai i sindromës së rëndë të frymëmarrjes akute (SARS) që shpërtheu në vitet 2002-03, i cili besohet se ka vrarë 774 njerëz dhe të ketë sëmurë gati 8,100 njerëz në Kinë dhe në Hong Kong.
Koronavirusi i ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike Kinës. Për shkak të kësaj, Kina po përpiqet të rikthejë në punë bizneset që u mbyllën dhe të rihapë shkollat që u pezulluan për javë të tëra.