Më shumë se 11,000 migrantë ilegalë kanë hyrë në Gjermani këtë vit – përmes Polonisë – nga Bjellorusia, ka thënë policia gjermane më 27 dhjetor.
Bashkimi Evropian akuzon liderin autoritar të Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, se është duke marrë migrantët nga Lindja e Mesme dhe është duke i shtyrë drejt kufijve me Poloninë dhe Letoninë e Lituaninë, në kuadër të një “sulmi hibrid” që shihet si hakmarrje ndaj sanksioneve të Perëndimit.
Shumica e migrantëve ilegalë synojnë të arrijnë në Gjermani, vend i cili ka rritur kontrollet kufitare me Poloninë në muajt e fundit.
Policia federale e Gjermanisë ka thënë përmes një deklarate se ka regjistruar 11,162 hyrje ilegale “të lidhura me Bjellorusinë” këtë vit, kryesisht në periudhën gusht-nëntor.
Policia ka thënë se aktualisht është duke rënë trendi i kalimeve ilegale të kufijve, pasi në dhjetor janë regjistruar 470 raste në krahasim me mbi 8,000 në tetor dhe nëntor.
Nën ligjin gjerman, migranët që aplikojnë për azil mund të qëndrojnë në këtë shtet derisa janë në pritje të analizimit të aplikacionit nga autoritetet.
Numri në rënie i migrantëve që kanë kaluar kufirin në dhjetor mund të jetë reflektim i ndryshimit të politikave ndaj Bjellorusisë, pasi regjimi i Lukashenkas është goditur me paketën e pestë të sanksioneve, të cilat kanë prekur edhe shtetet e treta, me qëllim të ndaljes së valës së migrantëve.
Autoritetet bjelloruse kanë pastruar kampet e migrantëve në kufij dhe kanë transferuar më shumë se 2,000 njerëz nëpër ambiente tjera.
Disa mijëra irakianë janë kthyer në vendin e tyre me aeroplanë, pas raportimeve se ata janë përballur me kërcënime dhe kushte të rënda nëpër kampe.