Raportohet se janë regjistruar mbi 130 raste të lëndimit misterioz trunor, të njohur si Sindromi i Havanës, në mesin e diplomatëve, spiunëve dhe zyrtarëve të mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara. Disa prej rasteve janë regjistruar në javët e fundit.
Gazeta “The New York Times” shkroi se tre oficerë të CIA-s kanë raportuar simptoma serioze nga dhjetori, pas caktimit në detyra jashtë vendit, duke kërkuar trajtim ambulantor në spitalin ushtarak “Walter Reed” në Uashington.
Mark Zaid, i cili përfaqëson disa ish-zyrtarë të prekur nga sindromi e Havanës, tha se është kontaktuar nga më shumë njerëz që besojnë se janë prekur nga ky sindrom, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Zyrtarët amerikanë konfirmuan se ka pasur raste të reja që po analizohen. Në dhjetor, Akademia Kombëtare e Shkencave publikoi një raport në të cilin thuhej se lëndimet trunore të punëtorëve qeveritarë amerikanë në Kubë dhe Kinë sipas të gjitha gjasave janë rezultat i një forme të energjisë së kontrolluar.
Cheryl Rofer, ish-kimiste në Laboratorin Kombëtar “Los Alamos”, i ka vënë në pikëpyetje të gjeturat e këtij studimi dhe pretendimin e viktimave dhe të disa ekspertëve se një lloj arme mikrovalë, e zhvilluar nga ndonjë armik, është përgjegjëse për sindromin e Havanës.
“Dëshmitë për efekte mikrovalë të llojin të kategorizuar si sindrom i Havanës janë jashtëzakonisht të dobëta”, tha Rofer. Ajo shtoi se nuk janë ofruar dëshmi për ekzistimin e një arme misterioze që mund t’i ketë shkaktuar lëndimet trunore.