Policia ruse ka ndërhyrë në tubimet e deputetëve të pavarur lokalë në Moskë dhe ka ndaluar të paktën 178 pjesëmarrës, përfshirë avokatë, aktivistë dhe gazetarë dhe i ka akuzuar atë se kanë marrë pjesë në një ngjarje të organizuar nga një grup “i padëshirueshëm”.
Një korrespondent i Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë tha se policia erdhi 40 minuta pasi ngjarja “Rusia komunale” nisi dhe filloi që të ndalonte pjesëmarrësit.
Më pas, një grup për monitorimin e të drejtave të njeriut tha se janë ndaluar 178 persona, në mesin e tyre politikanë dhe kritikë të presidentit rus, Vladimir Putin.
Kjo ngjarje ishte organizuar nga projekti Demokratët e Bashkuar, organizatë kjo që nuk është pjesë e listës së organizatave të “padëshiruara” në Rusi.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe zyrtarë të lartë të “Rusia e Hapur”, Andrey Pivovarov dhe Anastasia Burakova, ish-kryetari i Jekaterinburgut, Yevgeny Roizman, zyrtar të qytetit të Moskës Ilya Yashin dhe Yuliya Galyamina si dhe politikani opozitar, Vladimir Kara-Murza.
Avokatët raportohet se nuk janë lejuar që të vizitojnë të ndaluarit, të cilët janë dërguar në stacione policore në Novogireevo, Novokosino, Golyanovo dhe Vostochnoye Izmailovo.
Ligji për “organizatat e padëshirueshme” në Rusi është miratuar në maj të vitit 2015 dhe ka për qëllim që të kufizojë përpjekjet e disidentëve në Rusi.
Një prej efekteve që ka prodhuar ky ligj ka qenë shtypja e shumë organizatave jofitimprurëse dhe joqeveritare , që kanë marrë fonde nga jashtë.
Organizata “Rusia e Hapur” është në këtë listë që nga viti 2017 dhe Human Rights Watch ka thënë se kjo organizatë dhe grupe të tjera janë nën presion të madh.
Në Rusi, në shtator pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare. Edhe në të kaluarën, Rusia ka diskualifikuar apo ua ka ndaluar garën në zgjedhje kandidatëve opozitarë dhe atyre të pavarur.