“Let’s Do It” Kosova ka vazhduar monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore si dhe të Rregulloreve Komunale për Mjedis.
“Të dhënat e marra nga secila komunë në Republikën e Kosovës për numrin e gjobave mandatore që janë shqiptuar gjatë muajve Shtator–Tetor, 2020, janë si vijon:
Institucionet përkatëse në gjithë Republikën e Kosovës gjatë muajve Shtator-Tetor sipas Udhëzimit Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore kanë shqiptuar gjithsej 25 gjoba për ndotësit e mjedisit.
Gjobat u shqiptuan nga këto komuna: Malishevë (5), Istog (5), Drenas (4), Klinë (4), Rahovec (3), Kamenicë (3), Deçan (1).
Komuna e Gjilanit ka dërguar raport vjetor nga janari deri në tetor, ku janë shqiptuar gjithsej 15 gjoba mandatorë”, thuhet në njoftimin për media.
Në komunat të cilat nuk shqiptuan asnjë gjobë mandatore gjatë muajve shtator dhe tetor janë: Komuna e Skenderajt, Lipjanit, Obiliqit, Podujevës, Mitrovicës, Hanit të Elezit, Junikut, Shtimes, Kaçanikut, Gjakovës.
“Komuna e Fushë Kosovës nuk ka shqiptuar asnjë gjobë, inspektorët nga kjo komunë kanë raportuar për mungesën e bashkëpunimit të qytetarëve gjatë vërejtjeve verbale që janë dhënë në raste të ndotjes së ambientit (qytetarët kanë refuzuar të japin të dhënat personale pa të cilat nuk mund të shqiptohet dënimi). Po ashtu, për shkak të situatës me pandeminë ata nuk janë asistuar as nga Policia e Kosovës.
Kurse nga komunat: Prishtinë, Vushtrri, Ferizaj, Prizren, Pejë, Suharekë nuk kemi marrë asnjë raport.
“Let’s Do It” ju njofton se monitorimi i zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore do të vazhdojë edhe gjatë muajve në vijim, kur edhe do të bëhen publike të gjitha të dhënat.
Për shkak të pandemisë COVID-19 kishte shumë pak gjoba të shqiptuara gjatë muajve Shtator dhe Tetor, por duke shpresuar në normalizim të situatës dhe në ndërgjegjen institucionale besojmë që gjatë muajve në vijim gjobat mandatore do të gjejnë zbatim në vendin tonë dhe mbi të gjitha qytetarët do të jenë më të vetëdijshëm për dëmet që i shkaktojnë mjedisit nga ndotja”, thuhet më tej në njoftim.