Njëzetenjë (21) të rinj tjerë të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, kanë përfunduar trajnimin mbi Edukim Medial, i cili ka synim identifikimin dhe luftimin e dezinformimit dhe propagandës. Këtë herë trajnimi u zhvillua në Ferizaj, me pjesëmarrës të rinj nga kjo komunë dhe ajo e Shtimes. Nga ta, rreth 40% ishin vajza. Ky projekt mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë me grant për gazetën online Reporteri.net.
Trajnerët, atyre u ligjëruan në teori dhe në praktikë modulet për: Rregullimin e mediave dhe përgjegjësinë ligjore të punëtorëve të mediave; identifikimin e burimeve të besueshme të informacionit; verifikimin e fakteve; etikën në raportim; dhe sigurinë online.
Modulin e parë për pjesëmarrësit e ligjëroi juristja e medias, Flutura Kusari.
Pjesëmarrësit e vlerësuan lartë trajnimin dhe theksuan nevojën për më shumë trajnime të tilla rreth edukimit medial dhe luftimit të dezinformimit tek komunitetet jo shumicë në Kosovë.
Zade Krakoveti, pjesëmarrëse në trajnimin “Luftimi i propagandës përmes Edukimit Medial për Komunitetet Rom, Ashakli dhe Egjiptian” vlerësoi edhe numrin e madh të pjesëmarrësve vajza e gra në këtë trajnim.
“Për neve komunitetet jo shumicë çdo trajnim është i dobishëm. Pas trajnimeve që sot i kemi mbajtur e kemi më të qartë dhe më të lehtë që ta identifikojmë një dezinformatë. Pjesëmarrja e vajzave në këtë trajnim ishte goxha e madhe, dhe është shumë mirë që vajzat të informohen më shumë se cilat janë lajmet e verta dhe cilat të pavërteta dhe të dinë ta bëjnë dallimin mes informatës dhe dezinformatës”, tha Krakoveti, pjesëmarrëse në trajnimin që u zhvillua gjatë fundjavës në Ferizaj.
Edhe Ergjan Mehmeti, pasi ndoqi të gjitha modulet e trajnimit tha se tashmë është më i informuar se si t’i identifikojë më shpejtë dhe lehtë lajmet e rreme dhe dezinformatat.
Ky trajnim është shumë efektiv, sidomos për të rinjtë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, duke pasur parasysh se ende si komunitete kemi sfida dhe probleme sa i përket edukimit medial”, tha ai.
“Kësi lloj trajnimesh janë të duhura dhe janë të nevojshme me marrë pjesë dhe pse jo këto lloj të trajnimeve me na jap mundësinë edhe që me punu si gazetar dhe me qenë pjesë e mediave”, tha ky i ri nga Ferizaj i cili mori pjesë në trajnimin që u zhvillua në komunën prej nga vjen.
Ky projekt financohet me grant nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për Gazetën Online Reporteri.net (R Media L.L.C), dhe implementohet në partneritet me median “Front Online” dhe Institutin për Hulumtime “iFront”.
Trajnime të ngjashme do të organizohen edhe në komuna tjera gjatë javëve në vazhdim.
Gjatë këtij procesi, 6 nga kandidatët më të suksesshëm që dalin nëpërmjet një gare të hapur dhe transparente gjatë zhvillimit të trajnimeve në 5 rajone të ndryshme të Kosovës, do të përzgjidhen për të kryer punë praktike në mediat dhe organizatat partnere të projektit.