Mbi 2300 raste të dhunës në familje gjatë vitit 2024

Prishtinë | 14 Jan 2025 | 10:04 | Nga Ekonomia Online

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 7 vajza e gra i’u drejtuan stacioneve policore në Kosovë për të raportuar dhunën në familje, e cila sipas policisë erdhi nga meshkujt si pasojë e mosmarrëveshjeve. Siç bëri të ditur policia, tre persona janë arrestuar dhe një është në arrati. Kurse për të tjerët pas intervistimit me vendim të prokurorit rastet janë proceduar në procedurë të rregullt.

Në 24 orët e fundit në stacionet policore të Kosovës janë raportuar 7 raste të dhunës në familje, ku të gjitha viktimat janë femra. Rastet kanë ndodhur dy në Prishtinë, dy në Fushë Kosovë, një në Klinë, një në Rahovec dhe një në Gjakovë.

Për të ulur numrin e këtyre rasteve, sipas sociologes Flaka Ymeri, duhen politika të mirëhartuara nga institucionet e vendit. Ymeri thekson edhe trajtimin e veçantë që duhet bërë viktimave, duke mos i lënë ato në të njejtën hapësirë me dhunuesin.

“…kjo temë tashmë është e njohur për shoqërinë tonë. Cdo rast në rritje është shqetësues për vendin dhe shoqërinë. Politikat e mirëhartuara na e bëjnë punën më të lehtë, në trajtimin e traumave të personave që kanë përjetuar dhunë qoftë psiqike apo fizike. Institucionet duhet tu ofrojnë strehim, pavarësi dhe punësim që viktimat të mos kthehen tek dhunuesit. Pasojat do të jenë shumë të mëdha nëse dhunuesi dhe viktima ndajnë hapësirën e njejtë. Kur kemi politika që na mbrojnë nga dhunuesi gjithcka do të jetë më e lehtë. Duhet pasur kujdesë me trajtimin e viktimave të dhunës…”, tha Ymeri.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2024 janë raportuar mbi 2300 raste të dhunës në familje, shifër kjo që ka shënuar rritje për 6% nga viti 2023.RTV21

Të ngjashme