Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues që Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur ndaj togerit Ejup Mehani, i cili akuzohej për keqpërdorim detyre.
Në aktgjykimin e shkallës së dytë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se është refuzuar si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ndaj vendimit të shkallës së parë.
Aty thuhet se nuk qëndrojnë pretendimet e prokurorisë se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Tutje, sipas vendimit të Apelit që është marrë më 29 prill të këtij viti, gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë nga Themelorja, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, në dhjetor të vitit të kaluar Ejup Mehani ishte shpallur i pafajshëm për korrupsion.
Ai akuzohej se në cilësinë e personit zyrtar nuk e kishte hapur rastin e kanosjes të paraqitur nga Remzi dhe Qazim Krasniqi.