Mbi 400 shkolla në Itali raportuan raste me Coronavirus

Prishtinë | 26 Sht 2020 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Mbi 400 shkolla në Itali janë goditur me së paku nga një rast me coronavirus që kur u rihapën ato këtë muaj dhe 75 objekte shkollore u detyruan të mbylleshin nga autoritetet.

Sipas agjencisë së lajmeve italiane ANSA, përcjell Telegrafi, rajoni me më së shumti shkolla të prekura nga sëmundja e COVID-19 është Lombardia, pasuar me Emilia-Romagna, pas saj Toskana dhe Lazio.

Në raport thuhej se në 76 për qind të rasteve një nxënës ishte i infektuar me coronavirus, 13 për qind ishin mësues dhe pjesa tjetër ishin punonjës të tjerë të personelit.

Ndryshe, në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e coronavirusit, qeveria pati mbyllur shkollat e vendit në fillim të muajit mars, asokohe Italia ishte vendi më i goditur në Evropë nga sëmundja.

Shkollat prej 13 rajoneve u rihapën më 14 shtator, ndërsa disa prej rajoneve tjera u planifikuan të hapen më vonë.

Vlen të ceket që në kulmin e parë të pandemisë në Itali, rajoni i Lombardisë ishte më i godituri.

Numri i përgjithshëm i të prekurve në Itali u rrit në 306 mijë, ndërsa raportohet se 35 mijë persona kanë ndërruar jetë deri më tani. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme