Mbi 5 mijë raste aktive me koronavirus, paralajmërohet përkeqësim i situatës epidemiologjike

Prishtinë | 18 Jan 2022 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Gjatë ditëve të fundit është rritur dukshëm numri i rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë. Me përhapjen e variantit të ri të koronavirusit, Omicron, institucionet shëndetësore kanë apeluar te qytetarët t’i respektojnë masat dhe të vaksinohen me vaksinat kundër COVID.

Ministria e Shëndetësisë të hënën njoftoi se për 24 orë janë testuar 5 mijë e 297 mostra, nga të cilat, 728 kanë rezultuar pozitive.

Kështu, numri i rasteve aktive me koronavirus ka shkuar në 5 mijë e 118.

Gjatë 24 orëve të fundit nuk u shënua asnjë rast i vdekjes, derisa 99 qytetarë janë shëruar nga COVID019, duke çuar në 158 mijë e 750 numrin e të shëruarve, nga fillimi i pandemisë.

Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se nga fillimi i vaksinimit e deri të hënën në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1 milion e 717 mijë e 379 doza të vaksinaës. Nga to, 796 mijë e 246 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë, derisa janë dhënë 33 mijë e 156 doza përforcuese dhe 2 mijë e 169 dotza të treta të vaksinës kundër COVID-19.

Të hënën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka apeluar për kujdes të shtuar, për shkak të përhapjes së madhe të variantit Omicron.

IKSHPK-ja paralajmëroi se mund të ketë përkeqësim të situatës epidemiologjike gjatë ditëve në vazhdim.

“Omicron (B.1.1.529) po shton intensitetin çdo ditë dhe është varianti dominues në qarkullim. IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik. Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim, andaj IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, deklaroi IKSHPK.

Të ngjashme