Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, ka treguar për situatën në të cilën gjenden shkollat në Kosovë, shkak i Covid-19, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media, Maloku-Bërdyna bëri të ditur se të infektuar me Covid-19 janë 1489 mësimdhënës dhe mbi 6 mijë nxënës.
“Nga 23 mijë e 90 mësimdhënës, me Covid-19 janë 1 489 mësimdhënës. Nga 298 mijë nxënës, janë mbi 6 mijë të infektuar me Covid-19. Me skenarin rikthimi me prani fizike janë 672 shkolla, me skenarin A janë shtatë shkolla, me skenarin B janë pesë shkolla, ndërsa në skenarin C janë 90 shkolla”.
Maloku-Bërdyna, ka bërë thirrje për respektimin e masave anti-covid, teksa ka thënë se mundësia për të siguruar proces të mirëfilltë është me prezencë fizike në shkollë.
“Mundësia më e mirë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor me precenzë fizike në shkolla, është respektimi i masave anti-covid. Ditë më parë Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen për programin Fulbright të shkëmbimit akademik SHBA-Kosovë. Kosova merr statusin e asociuar me të drejtat e plota dhe është programi kryesor i bashkimit evropian për financimin e kërkimore me buxhet prej 95.5 miliardë euro. Statusi i asocuar do të thotë më shumë mundësi për subjekte juridike dhe individë nga Kosova”, ka thënë ajo.
Maloku-Bërdyna tha se programi Fulbright i studentëve tanë u hap rrugën për studime në institucione prestigjioze.
“Në programe me interes për zhvillimin e vendit. MASHTI ka dyfishuar fondet për mbështetjen e programit Fulbright”, tha ajo, teksa shtoi se draftin strategjik të arsimit 2022-20226 e kanë diskutuar me partnerët zhvillimor”.
“Puna e këtyre pesë viteve do të reflektohej në zhvillimet e gjithmbarshme ekonomike dhe shoqërore të vendit tonë. Ky dokument baza kryesore ku pastaj do të shkohet përpara, do të kemi arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të dixhitalizuar. Harmonizim të arsimit dhe aftësimit profesional me kërkesat e tregut. Menaxhim efektiv të sistemit të arsimi më të gjitha nivelet, arsim të lartë me cilësi dhe integritet si dhe përmirësim të mjedisit”, u shpreh zëvendësministrja.
Maloku tha se ky dokument pritet të del në diskutim publik dhe të finalizohet në muajin mars, raporton EO.
“Hartimi i projektligjit për edukimin për fëmijëri të hershme e kemi dërguar në projektligj në konsultim. Në këtë projektligj do të rregullojnë ofrimin e edukimit cilësor të të gjitha formave për me të vegjlit tana. Prej lindjes deri në moshën 6 vjeç atyre do ti sigurojmë të drejtën për edukim”, tha ajo.