Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), në bashkëpunim me Programin e USAID-it për Drejtësi Komerciale, kanë prezantuar studimin e ri me 256 kompani rreth Perceptimit të Korrupsionit sipas Bizneseve. Aktivitet ky që po mbahet në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, raporton Ekonomia Online.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, deklaroi se mbetet shqetësuese prania e madhe e korrupsionit në vend.
Zeka theksoi se bizneset hezitojnë të raportojnë korrupsionin, derisa janë në dijeni që korrupsioni ndikon në tërheqjen e investime të huaja direket.
“Këto rezultate do të na mundësojnë të masin progresin nga viti në vit. Ajo çfarë mbetet shqetësuese është që ekziston një prani e madhe e korrupsionit real. Bizneset vazhdojnë të ngurojnë të raportojnë korrupsionin të institucionet relevante”.
“Bizneset janë të vetëdijshme që korrupsioni ndikon në investimet e huaja direket. Pa luftimin e korrupsionit ne vetëm do t’i tërheqim investimet amerikane e evropiane”, ka thënë Zeka.
Chris Thompson, drejtor për drejtësi komerciale në USAID, potencoi se pas rezultateve shqetësuese dhe pranisë së madhe të korrupsionit, Qeveria e re duhet ta formojë Gjykatën Komerciale.
“Të themelohet një gjykatë komerciale nga qeveria në formim. Kam qenë i impresionuar me rezultatet, kemi pasur një përqindjen të madhe të mos besimit. Këto rezultate do të jenë indikator për projektin tonë dhe prioritetet tona”, u shpreh ai.
Ardita Hajra, zyrtare e politikave në Odën Amerikane, theksoi se papunësia dhe korrupsioni po nxitin emigrimin e fuqi punëtore.
Sipas saj, 72% e bizneseve thonë se duhet trajtim i shpejt i korrupsionit.
“Projekti është realizuar në 256 biznese në gjithë Kosovën, gjysma e tyre ndërmarrje të vogla e të mesme. Të gjeturat janë shqetësuese dhe këto do t’i sinjalizojnë politikbërësit dhe institucionet që të marrin me seriozitet këtë çështje”.
“Korrupsioni del të jetë problem i madh në vend. Papunësia dhe korrupsioni po e nxitin emigrimin e fuqisë punëtore. 72% për qind mendojnë që duhet trajtim urgjentë të korrupsionit. 42.97% mungesa e vullnetit politik për ta luftuar. 50.39% paga të vogla dhe varfëria. Kurse sundimi i ligjit 65.63% i dobët”.
Hajra thotë se 63.67% e bizneseve nuk e raportojnë korrupsionin për shkak të frikës së hakmarrjes nga institucionet relevante, raporton Ekonomia Online.
“78% e bizneseve nuk kanë raportuar raste të korrupsionit, derisa vetëm 22% kanë raportuar. 63.67% nga frika e hakmarrjes nga institucioni përkatës kurse 46.88% mungesa e besimit në institucionet gjyqësore”, tha ajo.
Nertilë Latifi, specialiste për drejtësi komerciale në USAID, njoftoj se 4% e bizneseve janë deklaruar se nuk do ta raportojnë korrupsionin.
Siç tha ajo, ryshfeti, keqpërdorimi i parasë publike si dhe nepotizmi mbesin faktorët kryesor të korrupsionit.
“75% e bizneseve janë deklaruar se do ta raportojnë korrupsionin. Vetëm 4% e bizneseve kanë thënë se nuk do ta raportojnë. Ryshfeti, keqpërdorimi i parasë publike dhe nepotizmi mbetën faktorët kryesor të korrupsionit. Ryshfeti behet për t’iu shmangur ndonjë dënimi. Të kenë qasje dhe shërbime të veçanta. Të përshpejtoj një procedurë burokratike. 27% e bizneseve nuk besojnë në sistemin gjyqësor”.
Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, për vitin e katërt me radhë, janë bërë bashkë në Javën Kundër Korrupsionit, e cila nisi sot.
Çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në qeverisje, prokurim publik, shëndetësi e arsim do të trajtohen gjatë një jave.
Por, fokusi kryesor do të jenë sinjalizuesit, mbrojtja e tyre dhe ligji për sinjalizuesit i cili është miratuar këtë vit.