Mbledhje komemorative në nderim të Izet Gjinovcit, Saraçini: Ai arriti që ta ndërkombëtarizojë hendbollin kosovar

Prishtinë | 06 Gus 2024 | 12:18 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Të martën, është mbajtur mbledhje komemorative për nder të Izet Gjinovcit, sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Hendbollit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, duke kujtuar Gjinovcin, tha se në çdo moment kritik që ka kaluar Federata, ai ka qenë aty për t’i dhënë kahje dhe për t’ia zgjidhur problemet.

Ai ka shtuar se qëllimi i Gjinovcit ka qenë ndërkombëtarizimi i hendbollit, gjë të cilën e arriti me anëtarësimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës në atë Evropiane dhe Botërore.

“Izeti ka hyrë në historinë e hendbollit me përkushtimin, angazhimin, ndihmën të cilën ju ka dhënë së pari të rinjve e pastaj klubeve ne përgjithësi. Me vonë edhe kombëtareve tona. Qëllimi ka qenë që të ndërkombëtarizohet hendbolli. Dhe me kontakte, lobime, arriti që Federata e Hendbollit të Kosovës të bëhet anëtare e Federatës Evropiane më pas edhe Federatës Botërore. Izeti ishte një njeri i respektuar si në vendin tonë dhe ne Federatën Evropiane dhe Botërore të Hendbollit”, ka thënë ai.

Ndërsa, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka thënë se Gjinovci ka qenë frymëzim dhe shtyllë e sportit në Kosovë.

“Izeti përveç që ishte një punëtor sportiv i jashtëzakonshëm, ishte frymëzim dhe shtyllë kyçe e zhvillimit të sportit në Kosovë. Të flasim për angazhimin e tij në hendboll është motiv dhe udhërrëfyes për gjenerata e reja se si duhet të punohet e të kontribuohet për zhvillimin e sportit në vendin tonë. Përkushtimi i tij për pavarësimin dhe njëkohësisht ndërkombëtarizimin e sportit të hendbollit në arenën ndërkombëtare mbetet i pashoq dhe duhet të mbete shembull për të gjithë ne”, ka thënë Osmani.

Valbona Gjinovci, bashkëshortja e të ndjerit, u shpreh mirënjohëse për punën e tij.

“Në këto momente është e kotë të flas për bashkëshortin tim, nuk e kam privilegjin sepse ju e njohët aqë mirë, e deshët aq shumë, folët aq shumë për të. Një re e zezë këtë muajin e fundit ju afrua sa që e mori dhe e dërgoi lartë në qiell”, tha ajo.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet të martën, ora 17:00, në Skenderaj.

Të ngjashme