Mblidhen grupet punuese për reformën në drejtësi

Prishtinë | 10 Maj 2023 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mori pjesë në takimin e parë të grupeve punuese për reformën në drejtësi, në të cilin takim përveç anëtarëve të grupeve punuese, ishin përfaqësues nga KGjK dhe KPK dhe përfaqësues ndërkombëtarë.

Në këtë takim njoftues, Haxhiu diskutoi për rëndësinë që ka ky bashkëpunim ndër-institucional veçmas në kuadër të reformës në drejtësi.

Haxhiu cilësoi të vlefshëm këtë takim të parë, i cili do të ketë një dinamikë të lartë të punës, dhe për të cilin priten rezultate brenda afateve të përcaktuara.

Takimi pati për qëllim të orientojë dhe dakordojë edhe afatet optimale dhe fillimin e punës.

Po ashtu ministrja Haxhiu vlerësoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë në këtë iniciativë si BE, OPDAT, INL, USAID, KiE, Ambasada Britanike, OSBE, EUKOJUST, EULEX, si dhe njoftoi gjithashtu për përfshirjen e shoqërisë civile në këtë Reformë, sipas afateve në fazat e parapara.

Gjithashtu zëvendëskryesuesit nga KGjK dhe KPK, respektivisht Qerim Ademaj dhe Veton Shabani, shprehën gatishmërinë e plotë për angazhim të vazhdueshëm për gjatë të gjithë procesit.

Pjesë e kësaj nisme reformuese do të jenë gjashtë grupe punuese. Kjo reformë është pjesë e zotimeve që dalin nga Deklarata e përbashkët e zotimit e nënshkruar nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial, Gjykata Supreme dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit.

Të ngjashme