Në orën 12:30 pritet që të mblidhet Komisioni i posaçëm për parandalimin e koronavirusit, i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate drejtuar mediave.
“Mbahet takimi i Komisionit të posaçëm për parandalimin e Corona Virusit, i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, dje Qeveria e Republikës së Kosovës në mënyrë unanime kanë miratuar propozimin për krijimin e një Komisonit të Posaçëm për parandalimin e infektimit me koronavirus.
Komisioni do të ketë këtë përbërje:
-Albin Kurti, Kryeministër, Kryesues;
-Avdullah Hoti, Zëvendëskryeministër i parë; Anëtar;
-Arben Vitia, Ministër i Ministrisë së Shëndetësisë; Anëtar;
-Agim Veliu, Ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike; Anëtar;
-Besnik Bislimi, Ministër i Ministrisë së Financave dhe Transfereve; Anëtar;
-Hykmete Bajrami, Ministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Anëtare;
-Anton Çuni, Ministër i Ministrisë së Mbrojtjes; Anëtar;
-Rozeta Hajdari, Ministre e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike; Anëtare;
-Emilija Rexhepi, Ministre e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal; Anëtar;
-Valon Prestreshi, Kryetar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës; Anëtar;
-Fadil Kodra, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent; Anëtar;
-Ilir Murtezaj, Drejtor i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës; Anëtar;
-Rashit Qalaj, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës; Anëtar;
-Ibrahim Xhaka, U.D. Drejtor i Përgjithshëm i Doganës, Anëtar;
-Valdet Gjinovci, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë; Anëtar;
-Rrahman Rama, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Anëtar;
-Përfaqësues i Inspektoratit të Shëndetësisë; Anëtar;
-Përfaqësues i Inspektoratit Farmaceutik; Anëtar;
-Përfaqësues i Inspektoratit të Tregut; Anëtar;
-Përfaqësues i Inspektoratit të Punës; Anëtar;
– Përfaqësues nga Departamenti i Rezervave Shtetërore, Anëtar.
Komisioni ka detyrë ta menaxhojë procesin e parandalimit të infeksionit Corona Virus COVID-19 në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përfshirë edhe kontrollin e zbatimit të ligjeve dhe akteve tjera nënligjore për mbrojtjen e konsumatorëve përmes organeve të autorizuara të Administratës shtetërore.
Të gjitha bizneset përfshirë, por pa u kufizuar, si farmacitë dhe bizneset tjera që ofrojnë produkte ushqimore dhe higjienike obligohen të operojnë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe të mos abuzojnë me çmime të produkteve medicinale dhe ushqimore.
Komisioni përmes organeve kompetente do ta mbikëqyrë gjithashtu edhe zbatimin e Ligjit për Mbrojtën e Konsumatorit në mënyrë që të mbrohen qytetarët nga abuzimi me çmime të produkteve medicinale dhe ushqimore.
Të gjitha institucionet janë të obliguara të bashkëpunojnë dhe ta ndihmojnë komisionin për kryerjen e detyrave të tij.
Komisioni do të mbikëqyrë punën e të gjitha institucioneve relevante që janë në kompetencë të Qeverisë dhe të koordinohet me institucionet tjera kushtetuese sipas rastit.
Komisioni ndër të tjera, siguron që materialet e domosdoshme të shpërndahen nëpër qendrat mjekësore në të gjitha komunat, tek policia, doganierët, policët kufitarë dhe të gjitha shërbimet e tjera emergjente; Të përgatiten objektet e nevojshme në rast nevoje për vendosjen personave të prekur; Hyrjet/daljet e qytetarëve nga Kosova të kontrollohen nga personeli shëndetësor; Bizneset të kryejnë punën e tyre me nder e përgjegjësi, të mos lëvizin çmimet, dhe institucionet përkatëse të kryejnë kontrollet në terren (në markete, në farmaci dhe pika të tjera ku ofrohen materialet bazike) bazuar në kompetencat ligjore që kanë në situata të tilla; Të ketë komunikim me mediat publike dhe private, duke kontribuar në informim të drejtë e të plotë të qytetarëve për masat që duhet ndërmarrë, por duke mos shkaktuar panik; Qytetarëve t’u ofrohen njoftimet dhe udhëzimet nga ana institucioneve përgjegjëse, që të veprojnë sipas tyre; Të kryejë edhe detyra të tjera të cilat kërkohen varësisht nga rrethanat e krijuara.
Komisioni është i obliguar t’ia propozojë Qeverisë për miratim masat parandaluese sipas legjislacionit në fuqi në përputhje me pikën 7. të këtij vendimi.
Sipas nevojave të punës dhe për realizimin e obligimeve të parapara me këtë vendim, Kryesuesi i Komisionit Ekzekutiv mund të ftojë ekspertë edhe përfaqësues të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Obligohen të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces për ofrimin e të dhënave dhe zbatimin e masave të kërkuara nga Komisioni.
Komisioni do t’i raporton Kryeministrit dhe Qeverisë në baza të rregullta ditore dhe sa herë që Kryeministri dhe Qeveria kërkon një gjë të tillë.