Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka filluar mbledhjen për të shqyrtuar kërkesën e tri partive opozitare Vetëvendosje, LDK dhe Alternativës për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme lidhur me rastin e abuzimit seksual të të miturës në Drenas.
Ato po kërkojnë që seanca të mbahet sot nga 12:00, duke këkruar përgjegjësi institucionale.
“Nga njoftimet dhe raportimet publike rastet e dhunimeve dhe abuzimeve seksuale tek të miturit dhe tek vajzat e gratë brenda institucioneve të Kosovës nuk janë më të izoluara”.
“Mbrojtja e integritetit fizik dhe moral të miturve, vajzave dhe grave është përgjegjësi ligjore e Ministrive të linjës deri tek agjencitë ligj zbatuese që mbikëqyrën nga Qeveria, Kuvendi, Këshilli Prokurorial, Këshilli Gjyqësor dhe Avokati i Popullit”.
“Rasti në Komunën e Drenasit shpërfaq një sistem të brishtë të parandalimit, adresimit, mbrojtjes së viktimës dhe dënimit të abuzuesit me detyrë zyrtare në administratën publike. Deri më tani janë trajtuar e shqyrtuar problemet që institucionet i kanë me trajtimin e rasteve të raportuara për abuzime e dhunime”.
“Por po kuptojmë se sistemi i mbrojtjes ka rreziqe më të mëdha nga ata që janë brenda tij si zyrtarë përgjegjës për mbrojtjen, raportimin dhe këshillimin e të miturve dhe/ose vajzave dhe grave”.