Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri, të cilët po akuzohen për tentim vrasjen e avokatit Gazmend Halilaj, janë mbrojtur në heshtje.
Të njëjtit kanë qëndruar pranë deklaratave të dhëna në prokurori dhe gjykatë.
Paraprakisht, në këtë seancë është bërë shikimi i disa video-incizimeve të dorëzuara nga prokurorja e shtetit Bukurije Gjonbalaj, ku shihej vetura e vozitur nga i akuzuari Lushtaku.
Sipas saj, në këto video-incizime shihet vetura e cila është përdorur në kryerjen e veprës penale një ditë para ndodhjes së rastit e cila ka kaluar në këtë rrugë, e në të cilën rrugë edhe i dëmtuari ka shtëpinë.
“Po e njëjta veturë në të njëjtën rrugë dhe ditë shihet edhe tre herë dhe atë në ora 10:19, 10:37 dhe 10:38, me të cilën veturë të pandehurit kanë kryer veprën penale ku fillimisht duke goditur me këtë veturë veturën e të dëmtuarit, kanë kryer veprën penale vrasje në tentativë, duke e goditur me dashje edhe pse rruga ka qenë dykahëshe…”, ka thënë prokurorja Gjonbalaj.
Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuari Lushtaku, avokati Tahir Rrecaj ka dhënë vërejtjet e tij në vlerësimet e prokurorisë, veçanërisht në vlerësimin e saj të fundit ku pretendon se vepra penale e vrasjes në tentative është tentuar të kryhet me veturën e të akuzuarit Ibrahim Lushtaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Xhelal Zeqiri, avokati Jeton Maqedonci tha se vërejtjet e tij do t’i japë në fjalën përfundimtare.
Më pas, prokurorja Gjonbalaj ka kërkuar që seanca e sotme të ndërpritet dhe të vazhdohet për një datë tjetër dhënia e fjalës përfundimtare, meqenëse nuk e kishte përgatitur të njëjtën.