Mbrojtja e Shefit të veteranëve të UÇK’së nuk ka dhënë komente se çka do të ndodhë me fatin e Hyseni Gucatit, i cili po vazhdon të mbahet në paraburgim pavarësisht problemeve shëndetësore që ka.
Jonathan Elystan Rees, avokat mbrojtës i Hysni Gucatit, nuk ka dhënë asnjë detaj për gjendjen shëndetësore dhe as për mundësinë e lirimit me kusht të klientit të tij.
Në një përgjigje të shkurtër për Express, ai ka thënë se po presin seancën për të parë vendimin e Prokurorisë Speciale.
“Jemi duke e pritur seancën dëgjimore të radhës. Prokuroria përcaktoi synimet e saj në lidhje me përgatitjen e çdo aktakuze gjatë seancës së fundit”, është përgjigjur me shkrim Jonathan Elystan Rees.
Zyra e Prokurorit në Hagë ka thënë se brenda 30 ditësh do të ngritet aktakuzë për kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, i cili dyshohet se ka penguar drejtësinë, ndërkaq mbrojtja e tij kërkoi lirimin me kusht.
Në seancën ndaj Gucatit, Jonathan Elystan Rees, mbrojtës i kreut të OVL-UÇK-së, ka kërkuar lirimin me kusht të klientit të tij. Ai tha se udhëheqësi i veteranëve një ditë para seancës së parë dëgjimore kishte një termin për një operim që ka të bëjë me lëvizshmërinë e tij, pasi ai është invalid i luftës.
Përveç kësaj, ish-luftëtari i UÇK-së, ka edhe probleme të tjera shëndetësore. Ai vuan nga diabeti, shtypja e lartë e gjakut si dhe vuan nga astma. Të gjitha këto probleme shëndetësore, mbrojtësi i tij tha se janë të mjaftueshme që të mundësohet lirimin me kusht.
Përveç kësaj, u ofrua edhe një garanci për lirimin me kusht të Hysni Gucatit. Mbrojtësi i tij dha garanci prej 5 mijë eurosh, se klienti i tij nuk do të arratiset, se do të jetojë në adresën që i përcaktohet dhe se do të raportojë në Policinë e EULEX-it, por për prokuroren e rastit, Valeria Bolici nuk ishin të mjaftueshme të gjitha këto arsye.
“Ne mund të ofrojmë një garanci 5 mijë eurosh që ai do të jetojë në adresën që do të përcaktohet, që do të raportojë në Policinë e EULEX-it dhe të gjitha këto kushte së bashku, të gjitha këto i përgjigjen atij rrezikut për arratisje”, tha mbrojtësi i tij, duke shtuar se klienti i tij do të qëndrojë larg 100 metra Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së.
Për prokuroren speciale, Valeria Bolici, paraburgimi i Gucatit është i nevojshëm, pasi sipas saj, nëse lirohet, ai do të vazhdojë t’i publikojë dokumentet e Speciales.
Megjithëkëtë, gjykatësi francez, Nicolas Guillou, e ka mbyllur seancën e parë gjyqësore duke ia dhënë një “premtim” kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së se do ta shqyrtojë mundësinë e lirimit të tij me kusht nga paraburgimi.
“Z. Gucati, më lejoni të them se në bazë të nenit 51 dhe 57, unë do ta rishikojë ndalimin tuaj, paraburgimin tuaj, ose me kërkesë të avokatit mbrojtës tuajin, ose me iniciativën time”, tha Guillou.
Gucati është arrestuar nga EULEX-i me datën 25 shtator, në zyrat e veteranëve në Prishtinë, me ç’rast atë ditë u bë edhe një bastisje. Po atë ditë, Gucati u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Po atë ditë është arrestuar edhe sekretari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili po ashtu është duke u përballur me Gjykatën Speciale në Hagë.
Ndaj tyre është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës.