Skuadra e Liverpool kaloi një sezon mjaft pozitiv në Ligën e Kampionëve, duke arritur deri në finale por, dështoi në fund që ta ngrit trofeun më të vlefshëm të klubeve në Evropë.
Me dështimin e Liverpool në finale, shumë rivalë të tyre nga Premier League i fërkuan duart dhe madje tifozët e tyre filluan edhe shaka të ndryshme lidhur me këtë humbje, e sidomos me gabimet e portierit të “Reds”, Loris Karius.
Mirëpo, në intervistën e tij pas kësaj ndeshjeje mbrojtësi më i shtrenjtë në Premier League, holandezi Virgil van Dijk, kishte një mesazh për të gjithë rivalët e Liverpool.
“Ata të gjithë janë duke u shtirr sikur janë të lumtur për humbjen tonë, mirëpo duhet të jenë xheloz”, ishin fjalët e Van Dijk.
Qendërmbrojtësi i Liverpool, beson se kritikët e skuadrës së tij duhet të jenë xheloz, pasi Liverpool së paku arriti deri në finale të Champions League, kurse skuadrat rivale të “Reds”, dështuan të bëjnë këtë gjë.
“Pa marrë parasysh asaj çfarë ndodhi, ne duhet të jemi krenar me veten tonë. Të gjitha skuadrat tjera të Premier League kishin dëshirën të ishin aty ku kemi arritur ne”, vazhdoi mbrojtësi holandez.
“Ne erdhëm deri këtu, por fatkeqësisht u mposhtëm dhe unë mendoj se këtë përvojë duhet ta marrim si mësim, në mënyrë që sezonin tjetër të arrijmë sukses edhe më të madh se kësaj radhe”, deklaroi Virgil van Dijk.
Me gjithë humbjen në finale, Liverpool arritën që të eliminojnë skuadra si Porti, Manchester City e Roma, duke treguar një shpirt luftarak dhe pamjet e festimit të trajnerit Jurgen Klopp me tifozët e Liverpool pas ndeshjes, dëshmojnë se skuadra nga “Anfield” beson se ky ishte vetëm fillimi i një rrugëtimi të ri drejt titujve.