Mbrojtja e Sami Lushtakut dërgon ankesë në Gjykatën Supreme

Prishtinë | 29 Nën 2016 | 12:19 | Nga

Ekipi mbrojtës i kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, sot gjatë ditës ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës kundër aktvendimit dënues të Gjykatës së Apelit që i shqiptoi Lushtakut javë më parë.

Avokati i Lushtakut, Arianit Koci, ka bërë të ditur se Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore të Mitrovicës duke e zëvendësuar atë me aktgjykim dënues për të pandehurin Sami Lushtaku, për veprën penale “cenimi i integritetit trupor dhe shëndetit të një numri të papërcaktuar të civilëve shqiptarë”, që ndërlidhet me Përgjegjësinë Komanduese të të pandehurit, duke e dënuar me shtatë (7) vite burgim.

“..konstatimi i Gjykatës së Apelit lidhur me “fajësinë” e Sami Lushtakut është bërë duke u mbështetur në prova të pamjaftueshme, duke u bazuar vetëm në një deklaratë të një dëshmitari, të nxjerrë tërësisht nga konteksti dhe duke e zhvendosur barrën e provës në mbrojtjen, gjë e cila është në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare penale”, thuhet në njoftimin e Arianit Kocit.

Njoftimi i ekipit Mbrojtës të Lushtakut:

Sot, në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, e dorëzova ankesën kundër aktgjykimit dënues për Sami Lushtakun.

Siç është e njohur për publikun, Gjykata e Apelit në aktgjykimin e saj, e aprovoi në në tërësi ankesën e mbrojtjes andaj Sami Lushtaku u shpall i pafajshëm për veprën penale “Vrasje” duke u liruar prej dënimit me dymbëdhjetë (12) vjet burg, të shqiptuar nga Gjykata Themelorë në Mitrovicë.

Megjithatë, Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe e ka zëvendësuar me aktgjykim dënues për të pandehurin Sami Lushtaku, për veprën penale “cenimi i integritetit trupor dhe shëndetit të një numri të papërcaktuar të civilëve shqiptarë”, që ndërlidhet me Përgjegjësinë Komanduese të të pandehurit, duke e dënuar me shtatë (7) vite burgim.

Baza e ankesës mbështetet, ndër të tjera, në praktikën gjyqësore të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Disa nga rastet që i kemi konsultuar për të provuar qëndrimin tonë juridik janë si në vijim:

Shembulli se sa është e vështirë të provohet Përgjegjësia Komanduese, mund të vërehet në çështjen Naletilić dhe Martinović, të trajtuar nga Tribunali i Hagës në Aktgjykimin e Dhomës së Apelit të dt. 3 maj 2006, 301-307. Në këtë rast, për të provuar kontrollin efektiv të të pandehurit Naletilić, me nofkën “Tuta”, mbi kampin e paraburgimit në Ljubuški, ku vartësit e tij u kishin shkaktuar, me dashje, vuajte të mëdha të burgosurve, prokuroria kishte mbledhur dhe ofruar provat në vijim: vartësit e kanë identifikuar vetën si “njerëz të Tutës”; dëshmitarët i kanë njohur shenjat e uniformës të vendosur në krahët e autorëve të krimeve, është gjetur lista e pagave që ka përmbajtur emrat e pjesëtarëve të grupit paramilitar të Naletilićit dhe një “ditar i luftës” i një ushtari.

Dëshmitë mbi të cilat Gjykata e Apelit e mbështet aktgjykimin dënues nuk janë të mjaftueshme për të provuar se Sami Lushtaku, jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm, ka zotëruar kontrollin efektiv mbi qendrën e ndalimit në Likoc. Prandaj, nuk është vërtetuar se Sami Lushtaku ka pasur kompetenca të nevojshme materiale dhe kapacitet / aftësi thelbësore të një eprori, që të ndërmarrë masa për të parandaluar dhe ndëshkuar çfarëdo veprimi kriminal që mund të ketë ndodhur aty.

Pra, konstatimi i Gjykatës së Apelit lidhur me “fajësinë” e Sami Lushtakut është bërë duke u mbështetur në prova të pamjaftueshme, duke u bazuar vetëm në një deklaratë të një dëshmitari, të nxjerrë tërësisht nga konteksti dhe duke e zhvendosur barrën e provës në mbrojtjen, gjë e cila është në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare penale.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme