Kam besuar dhe dua te besoj në vlera evropiane dhe përgjithësisht ato euroatlantike, por kohën e fundit ka filluar një lëkundje e vlerave evropiane edhe në vendin ku kanë zërë fill. Nuk kam asnjë dyshim se funksionimi mbi bazën e këtyre vlerave u ka dhënë vendeve të Evropës Perëndimore një stabilitet dhe begati të përgjithshme. Jo vetëm kaq. Këto vlera u bënë model që duhej ndjekur edhe për popujt e shumicës së vendeve në botë. Fatkeqësisht ka më tepër se një dekadë që « drejtësia » si vlerë euro-atlantike është zbehur tej mase edhe në djepin e kësaj vlere.
Po përmend vetëm Raportin e Dick Martit, i cili nuk është gjë tjetër pos një përmbledhje e sintetizuar e shpifjeve dhe gënjeshtrave në kurriz të njerëzve të pafajshëm. Jo vetëm që nuk u hodhën poshtë shpifjet e sajuara në Beograd për gjoja krime lufte e trafikim e transplantim të organeve nga UÇK-ja, por mjerisht ky Raport u bë Rezolutë zyrtare e Këshillit të Evropës. Procesi i degradimit të « drejtësisë » vazhdoi me krijimin e një Task Force Hetuese për të hulumtuar vërtetësinë e raportit të Dick Martit. Puna dyvjeçare e kësaj force hetuese arriti te konkluzioni për domosdoshmërinë e krijimi të një Gjykate Speciale edhe pse nuk kishin gjetur asnjë provë që do të konfirmonte pohimet e këtij raporti! Për të qenë absurdi edhe më i madh, Gjykata Speciale duhej të merrej ekskluzivisht me krimet e supozuara të UÇK-së dhe assesi krimet e gjenocidit serb në Kosovë.
Kështu si është krijuar kjo gjykatë nga Kosova e për Kosovën, por me seli jashtë saj, jo vetëm është jashtë çdo standardi të drejtësisë ndërkombëtare, por edhe jashtë çdo standardi juridik, pasi ligësisht paragjykohen kriminelët vetëm në njërën palë ndërluftuese: palën shqiptare. Baza mbi të cilën është krijuar gjykatë nxjerr në shesh se këtu kemi të bëjmë thjeshtë me një gjykatë politike dhe për përndjekje politike.
Raporti i Dick Martit, Rezoluta e KE, të “gjeturat” e Viliamsonit, krijimi i Gjykatës Speciale, e kanë vendosur Republikën e Kosovës në raporte më shumë se të pa barabarta me Serbinë. Natyrisht për ketë nuk janë me faj vetëm euro-perëndimorët që bënë presion, por edhe udhëheqësit e pa kurriz të shqiptarëve të Kosovës. Ndërsa, përgjegjësia ju bie para se gjithash deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët duke qenë të padijshëm, të pa integritet e të pa dinjitet, morën një vendim tepër të dëmshëm për vendin dhe të ardhmen e tij. Vendim për t’i ndjekur luftëtarët e UÇK-së, të cilët për veprimet e tyre gjatë luftës në vend që të dekoroheshin rrezikohen të dënohen. Shembulli i proceseve gjyqësore të motivuara politikisht « Drenica 1» dhe « Drenica 2 » janë shembuj që shërbejnë si udhërrëfyes për drejtimin ka do të ecin organet e Gjykatës Speciale.
Ky qyqarllëk i njerëzve tanë të veshur me pushtet nga qytetarët tanë, të cilët pushtet e kanë grabitur me forma jo demokratike, i ka trimëruar mbeturinat e regjimit të Millosheviqit në Beograd, shtetet BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe forcat që dikur ishin kundër ndërhyrjes së NATO-s për të ndërprerë gjenocidin serb në Kosovë.
Të trimëruara nga ky kontekst ndërkombëtar bartësit e institucioneve të shtetit serb duke filluar që nga presidenti i Serbisë Tomisllav Nikolliq e deri te funksionarët e niveleve më të ulëta shtetërore janë vërsulur me një propagandë luftënxitëse kundër Kosovës.
Këtë propagandë e bën edhe më agresive heshtja e institucioneve të BE-së. Si pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj indiference ndërkombëtare agresiviteti i shtetit serb ka marrë formën e kërcënimeve të hapura kundër Kosovës. Ne kemi reaguar ndaj rrezikut që paraqesin kërcënimet e mbeturinave të Millosheviqit në krye të institucioneve të Serbisë por reagimet tona kanë hasur në vesh të shurdhër.
Prandaj, edhe në takimin me homologun e vet grek më 28 nëntor Tomisllav Nikoliqi shfrytëzoi rastin për të përcjellë kërcënime në drejtim të Kosovës. Këto kërcënime duhet të trajtohen me seriozitetin e nevojshëm sepse është logjika e njëjtë që kërcënimet i vuri në zbatim dhe kreu tre gjenocide në hapësirat e ish Federatës Jugosllave. Para se gjithash është obligim i udhëheqësve të Kosovës dhe të Shqipërisë që të alarmojnë institucionet ndërkombëtare për këtë rrezik të paqes dhe stabilitetit rajonal.
Shteteve të demokracive perëndimore u takon të marrin një qëndrim të qartë ndaj këtyre praktikave që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe të reagojnë në përputhje me vlerat demokratike që i kanë proklamuar. Në të kundërtën, heshtja përball logjikës së moçme luftënxitëse nxjerr në shesh hipokrizinë e tyre dhe inkurajon në mënyrë të tërthortë konflikte të reja në këtë pjesë të Evropës.
(Autori është kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën)