Për tri ditë me radhë, më 18, 19 e 20 janar, në Teatrin e Qytetit në Gjilan, janë prezantuar 6 filma artistikë e dokumentarë, prodhime të Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK).
Në natën e tretë, sipas programit janë shfaqur dy filma. Ai i shkurt artistik, “Tisa” me regji të Valter Lucaj, si dhe filmi dokumentar “Rojtari i Bjeshkëve”, me regji të Antoneta Kastrati.
Subjekti i filmit “Tisa”, përshkruhet me sa vijon: Beni është një adoleshent “kuller”, i talentuar në futboll. Ai është i lumtur në trekëndëshin e tij shoqëror, me shokun e tij Gëzimin, i cili gjithashtu luan futboll, si dhe me të dashurën Emën, të cilën që të dytë e pëlqejnë!
Rrugëtimi jetësor i Benit bëhet dramatik kur ai merr një ftesë për një (s’)provë në një ekip futbolli francez! Rrjedha e përmbajtjes së filmit përcillet me elemente narrative, me tekst të ngjeshur, dialogje simpatike, ndërsa kthesa dramatike – kulmi ndodhë në momentin kur Beni pritet të ikën për të vazhduar karrierën në Francë!
Ironikisht, fati i tij, përkundër talentit, është në duart e burokracisë permanente të “instaluar” nëpër zyrat të përfaqësive diplomatike, si atyre vendor ashtu edhe procedurave burokratike e diplomatike të shteteve përkatëse në Prishtinë.
Për pasojë, Beni detyrohet që, në vend të rrugëve legale, të ‘provojë’ ato alternative – ilegale!
Filmi i dytë i mbrëmjes, “Rojtari i Bjeshkëve”, i punuar nga regjisorja Antoneta Kastrati, pasqyron orvatjet dhe tratativat e vazhdueshme të një rojtari të bjeshkëve, për t’i shpëtuar ato.
Me përshkrime vizuele të peizazheve të natyrës, përfshirjes dhe përshkrimit të kohëpaskohshëm narrativ, si dhe deklaratave nga personazhe të intervistuara, pasqyrohet tentativa e vazhdueshme e luftës për të shpëtuar malet e Rugovës nga prerja dhe shkatërrimi mjedisor.
Derisa kupton historitë e rinisë së kryepersonazhit, (Fatosit), herë – herë të paraqitur në reminishencë, publiku kupton njëherit historinë e frustrimit të tij me politikën e pasluftës, ndjenjën e tij të strehimit në male, dhe përfundimisht lidhjen shpirtërore e vendosmërinë për t’i ruajtur pyjet.
Skenat e realizuara në mjedise urbane e rurale, të ndërlidhura, si dhe përshkrimet e degradimeve të pyjeve, shfaqin pikëllimin e paskaj të tij, sidomos kur hasë në drunj që duhet të presin kohë të gjatë për t’u rritur, ndërsa aq pak ndjesi për përkujdesje mjedisore, e akoma më pak përkujdesje për t’u ruajtur nga degradimet si dhe djegiet pamëshirshme.
Paraprakisht, në kuadër të “Film Flaka 2024”, janë prezantuar 4 filma tjerë, poashtu të shkurtë e dokumentarë, kryesisht prodhime nga QKK, si: “Pa Vend”, me regji të Samir Karahoda; “Daullet e Rezistencës”, punuar nga Besa Luci; “Kanarinat e Dinë: nga Kaltrina Krasniqi, si dhe filmi “Një Muaj”, i realizuar nga regjisori, Zgjim Terziqi.
Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport në Gjilan, Kushtrim Zeqiri, ka thënë enkas se “Film Flaka” është realizuar me iniciativë vetanake, pa kosto apo Thirrje Publike, duke u shprehur i kënaqur me rrjedhën e filmave dhe prezantimeve.
“Përgjatë këtyre tri ditëve patëm rastin të shohim 6 filma, nga dy në secilën natë. Rëndësia e “Film Flaka” është se rikthen për aderues të filmit pas disa vitesh, krijimet filmike të autorëve vendor. Për “Film Flaka” nuk ka pasur Thirrje Publike. Ajo ka ardhur si iniciativë e DKRS-së, që me ndihmën e QKK-së, është mundësuar shfaqja e filmave.”, ka thënë Zeqiri.
“Flaka e Janarit 2024”, me shtyllat përkatëse që e karakterizojnë tradicionalisht, vijon pjesën teatrale “Talia e Flakës 2024”, duke filluar nga 23 deri më 28 janar.
Ndërsa pasohet me festivalin për fëmijë “Xixat e Flakës”, pjesën letrare në prozë e poezi “Pena e Flakës”, garat e enigmatikës, pjesën artistike/muzikore “Fest Flaka”, si dhe një mori aktivitetesh tjera që i përcjellin ato kryesore, deri më 31 janar 2024.