Mbylli punimet Konferenca Globale e AAB-së: Pasojat e pandemisë do të ndjehen vitet në vazhdim

Prishtinë | 06 Sht 2020 | 12:48 | Nga Ekonomia Online

Njeriu gjatë pandemisë ka qenë më shumë një numër sesa identitet, vendet u mbyllën në vetvete brenda kufijve kombëtarë duke rrëzuar vlerën e qarkullimit të lirë të njerëzve, nuk pati një angazhim të përbashkët të botës kundër armikut global, ndërsa shoqëria pësoi disa transformime, ndërsa pasojat e shkaktuara nga pandemia në shoqëri do të ndjehen edhe vite më vonë.

Këto ishin disa nga përfundimet nga konferenca globale e organizuar nga Kolegji AAB dhe disa universitete europiane dhe rajonale.

Në këtë konferencë u prezantuan 118 studime, në të cilën kanë qenë të angazhuar rreth 183 studiues nga 29 vende të botës.

Folës kryesorë në këtë konferencë ishin prof. dr. Pierluigi Musaro nga Universiteti i Bolonjës i cili trajtoi temën “Mobiliteti, siguria dhe Covid-19: armiku i padukshëm dhe e drejta për të marrë frymë”, si dhe prof. dr. Derek El-Zein nga Universiteti Paris Descartes, i cili prezantoi temën me titull “Efektiviteti i shtetit në luftën kundër pandemive: shembuj nga Libani, Gjermania dhe Franca”.

Përveç seancës plenare dhe folësve kryesorë, Konferenca e titulluar “Transformimet dhe pasojat në shoqëri nga pandemia Covid-19” i zhvilloi punimet në 17 panele të veçanta me tematika specifike.

Kryetari i Komitetit Shkencor të Konferencës, prof.ass.dr. Hasan Saliu, tha se kjo konferencë ishte kontribut në kuadër të Misionit të Tretë të Kolegjit AAB, që ka të bëjë me përgjegjësinë sociale dhe kontributdhënien ndaj shoqërisë dhe në kuadër të promovimit të “Knoëledge sharing” dhe “Open Science”.

“Ne sot shkëmbyem informacionin shkencor, për pasojat dhe transformimet në shoqëri që kanë ndodhur si pasojë e pandemisë Covid-19. Në këto prezantime u trajtuan pasojat e pandemisë, në menaxhimin shëndtësor, sektorin e prodhimit, tregtisë, shërbimeve, arsimit, lëvizjes së njerëzve; ndërsa efekte transformuese ka pasur në sektorin e arsimit, komunikimit ndërnjerëzor, komunikimit masiv e publik. Periudha e izolimit ka pasur efekte edhe në shëndetin mendor, marrëdhënie familjare, në të drejtat e njeriut, në fushën e drejtësisë, marrëdhënie ndërkombëtare”, tha Saliu.

Në përmbyllje të Konferencës u konkludua se pasojat e shkaktuara nga Pandemia COVID-19, përgjithësisht ishin të njëjta, por kuantiteti i pasojave është i ndryshëm, për shkak të specifikave të vendeve të botës. Armiku “i padukshëm” prapë i njëjtë.

Shtetet mbyllën kufijtë kombëtarë, ra promovimi i idesë shpesh i ngritur deri në mit “ai i qarkullimit të lirë e të papenguar të njerëzve”, veçanërisht në Bashkimin Europian. Edhe qarkullimi i mallrave u vështirësua, lindi kriza madje për një prodhim të thjeshtë, maskat. Por, qarkullimi i lirë i ideve u fuqizua, online. Teknologjia shënoi kulmin e përdorimit.

Transformimet përgjithësisht qenë të ngjashme. Mësimi kryesisht hyri online. Përqafimet tradicionale – fizike të nxënësve me mësuesen fuqizuan njeriun si qenie simbolike: shtuan si kurrë me parë shprehjen e emocioneve nëpërmjet simboleve në rrugë elektronike. Virtualiteti u imponua si komunikim edhe te të rriturit dhe na distancoi shoqërizimin tradicional, por na mundësoi më shumë shoqërizimin e komunikimit global, ashtu si edhe kjo konferencë e jonë sot. Pandemia na largoi paksa nga shoqëria e gjerë dhe na pakësoi puthjet miqësore, na shtoi me detyrim maskat, por na afroi më shumë me familjet. Solidariteti u fuqizua, por dominoi solidariteti online.

Ne vlerësojmë se kjo konferencë shënoi sukses dhe dobi edhe në sajë të të gjithë pjesëmarrësve, u vlerësua në përmbyllje të konferencës.

Kontributi do të shtohet pas publikimit të këtyre prezantimeve. Do të publikohen në Book of Proceedings një pjesë, pjesa tjetër në Revistën Shkencore Ndërkombëtare “Thesis”, ndërsa një pjesë edhe në një botim special në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese gjermane “De Gruyter”.

Të ngjashme