Mbyllja e Bankës së Kursimeve në veri, Ulutash-Kurtit: Të shmangen veprimet e njëanshme që mund të nxisin tensione
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka takuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, pas veprimeve të fundit të ndërmarra nga Policia e Kosovës që rezultuan me mbylljen e gjashtë filialeve të Bankës së Kursimeve Postare në veri të vendit.
Në njoftimin e KFOR-it bëhet e ditur se Ulutashi në takim me Kurtin tha se veprimet e njëanshme që mund të përkeqësojnë tensionet duhet të shmangen dhe se sipas tij, duhet të ruhet koordinimi në mes të gjithë akterëve.
“Ai gjithashtu përsëriti përkushtimin e palëkundur nga i gjithë personeli i KFOR-it për të vazhduar zbatimin e mandatit të misionit të OKB-së për të siguruar një mjedis të siguritë; dhe ai përsëriti mbështetjen e plotë të NATO-së për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në mes Beogradit dhe Prishtinës, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, për të mirën e të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Të hënën, Policia e Kosovës ka mbyllur gjashtë filiale të Bankës së Kursimeve Postare në veri të vendit që kishte vepruar ilegalisht.
Gjatë aksionit, policia ka gjetur dhe ka konfiskuar 1.6 milion euro, mbi 74 milionë dinarë, mbi 19 mijë frangë dhe mbi 13 mijë dollarë.
“Operacioni policor i realizuar sot në veri të vendit, ku u mbyllen gjashtë njësi ilegale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’, rezultoi edhe me konfiskimin e provave të ndryshme materiale siç janë; Rreth 1.600.000 euro, Rreth 74.700.000 dinar, Rreth 19.500 franga, Rreth 13.800 dollar amerikan, Rreth 40 dollar australian. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin”, u tha në komunikatën e policisë të hënën.