Mirlind Behluli nga Instituti “EdGuard”, tha në një intervistë për Ekonomia Online se propozimi i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) për mbylljen e shkollave ka dy probleme.
Problemi i parë sipas Behlulit është se ky vendim u morr pa u koordinuar institucionet arsimore. Kurse si problem tjetër ai konsideron mosarsyetimin për këtë propozim.
“Propozimi për mbylljen e shkollave ka dy probleme themelore, i pari është komunikimi jo i duhur ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Komunitetit të Shkollave, pra mësimdhënësve dhe Këshillit të Prindërve. Ne kemi parë që tashme ky këshill ka dal kundër këtij propozimi. Do të duhej të ishte një komunikim më i duhur ndërmjet këtyre institucioneve të arsimit. Problemi i dytë është që nuk ka një analizë paraprake dhe nuk ofrohet një analizë në detaje në lidhje me çështjen nëse shkollat janë burim infeksioni apo jo. Nuk ka një arsyetim të këtij propozimi. Nëse Ministria e Arsimit mendon se shkollat janë burim infeksioni atëherë do të duhej të tregonte se sa është numri i të infektuarve dhe e të hospitalizuarve si pasojë e vazhdimit të mësimit me prezencë fizike”, është shprehur ai.
Tutje Behluli ka konsideruar se mësimi do të ishte mirë të vazhdohej me prezencë fizike pasiqë Kosova akoma nuk e ka funksionalizuar si duhet digjitalizimin në shkolla.
“Ne e dimë që në sistemin tonë arsimor digjitalizimi është një prej probleme që ka. Digjitalizimi nuk është ende duke funksionuar si duhet dhe si pasojë do të ndikonte kalimin në skenarin C në mësim online do të ndikonte në mësimnxënie dhe mësimdhënie prandaj do të duhej edhe më tutje të vazhdohet nëse lejon gjendja epidemiologjike në mësim me prezencë fizike ngaqë kështu ka qenë deri më tani dhe besojmë që ka efekt më të madh se mësimi online” ka shtuar ai.
Poashtu Behluli ka thënë për EO se mbyllja totale e shkollave është zgjidhje e gabuar, vendimet sipas tij duhet të Mirren veçmas për secilën komunë bazuar në gjendjen epidemiologjike që kanë.
“Ne po supozojmë që MAShT mendon se shkollat janë burim infeksioni por çfarë do të duhej të bënte MAShT është kjo që mos të kishte një mbyllje universale të të gjitha shkollave, por të analizohej rast pas rasti, të analizohej gjeografikisht. Pra nëse Prishtina ka më shumë raste për kokë banori se Peja atëherë të mos mbyllet edhe Peja vetëm pse në Prishtinë ka më shumë raste me Covid-19, pra të analizohej komunë pas komune dhe pastaj të vendosjes për secilën komunë veç e veç. Të përgatitej më shumë në lidhje me mësimin online pas një jave pushim, pra kjo javë të shfrytëzohej për përgatitje sa më të mirë të kalimit nga skenari A në atë C”, është shprehur ai.
Madje Behluli e ka konsideruar si të padrejtë që disa sektor të mbyllen si e disa të tjerë të vazhdojnë aktivitetet e tyre.
“Nga propozim-vendimi kemi arritur të kuptojmë që nuk ka kufizime për të tjerët sektorë, pra po mbyllen vetëm shkollat. Nuk e di kush e ka menduar kështu që të mbyllen të gjitha shkollat kurse të lejohet gastronomia, sektorët tjerë ekonomikë. Dhe nuk e di sa do të arrijë të ndikojë vetëm mbyllja e shkollave në krejt procesin e infektimit me Covid-19”, ka përfunduar Mirlind Behluli për EO.