Një nga takimet e rëndësishme të ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në Parlamentin Evropian në Strasbourg, ishte takimi me David McAllister, euro-deputet dhe kryesues i Komisionit për Punë të Jashtme, AFET, për marrëdhëniet me Asamblenë Parlamentare të NATO-s, për Sigurinë dhe Mbrojtjen.
Në takim, ministrja Hoxha vuri në dukje zhvillimet aktuale në vend dhe rajon, si dhe tëarriturat, sfidat dhe prioritetet qeveritare si procesi integrues, zbatimi i MSA-së, zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi rajonal.
Ministrja Hoxha po ashtu diskutoi me euro deputetin për procesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë si pjesë e agjendës euro integruese.
“Kosova është e përkushtuar që të përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga MSA-ja por edhe obligimet tjera që garantojnë përshpejtimin e procesit integrues por edhe përfshirjen në planet e zgjerimit”, theksoi Ministrja Hoxha.
McAllister theksoi se Kosova është pjesë e përspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe kërkoi nga Ministrja Hoxha që Kosova të fokusohet dhe të punojë me shumë në përmbushjen e obligimeve të saj në dy fusha kryesore, sundimin e ligjit dhe dialogun me Serbinë si dhe çështjet tjera që kërkohen nga BE-ja, në mënyrë që Kosova të tregoj përkushtimin dhe seriozitetin e saj karshi përspektivës evropiane.
Me këtë rast, euro deputeti McAllister, që i përket grupit të Partive Popullore në Parlamentin Evropian, i cili vije nga Berlini, i ofroi Ministres Hoxha përkrahje në procesin integrues të Kosovës, duke kërkuar më shumë angazhim nga institucionet e Kosovës.
Hoxha: Kosova do të shënojë përparime në procesin integrues
Ministrja Hoxha gjithashtu ka zhvilluar takime të ndara, me euro deputetin Lars Adaktusson, anëtar i Grupit të Partive popullore në Parlamentin evropian, euro deputeten Hilde Vautmans, anëtare e Aleancës Liberale dhe Demokrate për Evropë, me euro deputeten, Marijana Petir, anëtare e Komitetit për të Drejtat e Grave dhe Barazi Gjinore si dhe Igor Sholtes, euro deputet nga grupi i Partive të gjelbra në Parlamentin Evropian që i takon Aleancës së lirë Evropiane, raportues për Kosovën i cili do të zëvendësoj, Ulrike Lunacek, me ç ‘rast ka paraqitur të arriturat dhe sfidat në procesin integrues.
Në të gjitha takimet, Ministrja theksoi të arriturat e Kosovës në procesin integrues, me theks te bashkëpunimi rajonal, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik.
“Vlerat e Bashkimit evropian i pranojmë si tonat, andaj, në kuadër të procesit integrues, fqinjësia e mirë, bashkëpunimi dhe komunikimi në rajon është i një rëndësie të veçantë”, ka theksuar ministrja Hoxha dhe ka shtuar se Kosova po kontribuon që të jetë pjesë e agjendave integruese si prioritet dhe konsensus nacional.
Euro deputetet theksuan se përshpejtimi i realizimit të agjendës integruese, Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, realizimi i kushteve brenda këtij procesi duhet trajtuar si prioritet. Ministrja Dhurata Hoxha ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe në aspektin e sigurisë duke dhënë kontribut në luftimin e terrorizmit dhe radikalizmit.
Vizita e ministres Hoxha, ishte e para e këtij lloji në cilësinë e Ministres së Integrimit Evropian, u zhvillua me qëllim të fuqizimit të marrëdhënieve me Parlamentin Evropian, njohjes së këtij institucioni madhor me punën dhe përkushtimin e institucioneve tona në procesin e integrimeve evropiane, për sukseset dhe sfidat e këtij procesi.