MD-ja po pret opinionin e Komisionit të Venecias për ndryshim të Kodit për gjykim në mungesë

Prishtinë | 18 Maj 2020 | 21:29 | Nga Ekonomia Online

Një vit pasi është miratuar në Kuvend dispozita për gjykimin në mungesë në kuadër të Kodit të Procedurës Penale, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias.

Por nuk janë vetëm gjykimet në mungesë për krime lufte që MD-ja ka kërkuar mendim nga ky komision për gjykimet në mungesë, por edhe për veprat e tjera penale që parashihen në Kodin e Procedurës Penale.

Ka qenë vetë ministrja, Albulena Haxhiu, sa ishte në opozitë që ka propozuar gjykimin në mungesë për krime lufte, për të cilin ka thënë se nuk do të largohet.

Nga Komisioni i Venecias është kërkuar vlerësim edhe për zgjatjen e afatit të hetimeve e suspendimin e zyrtarëve me aktakuza.


“Ne kemi kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias lidhur me gjykimin në mungesë për të gjitha veprat penale siç parashihet me draftin e Kodit të Procedurës Penale. Sipas informacioneve që i kemi, besojmë që së shpejti do të kemi opinionin e tyre, sepse jemi në komunikim të vazhdueshëm. Po ashtu, kemi pasur takim edhe me prokurorët specialë lidhur me këtë, por rrethanat me rrëzimin e Qeverisë kanë pamundësuar që ndryshimet e tilla të votohen nga Kuvendi”, thuhet në një përgjigje nga Ministria e Drejtësisë.

Megjithatë, gjykimi në mungesë, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, mund t’i cenojë të drejtat e njeriut.

Juristët, një praktikë të tillë e shohin vështirë të zbatueshme në veçanti për gjykimin e krimeve të luftës.

Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare ka kërkuar që të largohen dispozitat që kanë të bëjnë me gjykimet në mungesë, pasi sipas tyre janë të paqarta.

Neni 306, paragrafi 5, pika 5.3 ku thotë se gjykimi në mungesë do të

organizohet “nëse janë bërë përpjekje të arsyeshme që i akuzuari të gjendet”, çka sipas FDH-së lejon interpretim dhe zbatim analog.

Megjithatë, Ministria e Drejtësisë në një përgjigje me shkrim për KOHËN ka thënë se në momentin që do ta kenë opinionin e Komisionit të Venecias do të reflektojnë në ndryshimet e nevojshme në draftin e Kodit të Procedurës Penale.

Të ngjashme