MD-ja s’ka kompetenca për disiplinimin e gjykatësve dhe prokurorëve

Prishtinë | 04 Maj 2017 | 10:44 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetenca për të marrë masa disiplinore ndaj gjykatësve dhe prokurorëve. Në këtë aspekt do të merret për bazë modeli kroat i përgjegjësisë disiplinore i cili do t’i përshtatet rrethanave dhe kushteve institucionale të Kosovës.

Kështu ka thënë Robert Muharremi këshilltar ligjor në Ministrinë e Drejtësisë gjatë një diskutimi të Projektligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve me përfaqësues të medieve, raporton Ekonomia Online

Ai ka treguar pikat të cilat janë pjesë e versionit të këtij projektligji, i cili është model nga shteti i Kroacisë.

“Pavarësisht spekulimeve të medieve Ministria e Drejtësisë nuk do të hetojë asnjë gjykatës e as ndonjë prokuror, sepse gjykimi dhe sanksionet e gjykatësve janë këshillat të cilat Kushtetuta i lejon”, ka thënë ai.

“Në këto pika thuhet se Ministria e Drejtësisë dhe Avokati i Popullit nuk kanë të drejtë të hetojnë gjykatës/prokurorë, as të shqiptojnë ndonjë masë disiplinore ndaj një gjykatësi/prokurori e as të hedhin poshtë vendimet e KGjK/KPK”, ka theksuar Muharremi.

Kurse sa i përket ankesave të qytetarëve  ndaj gjykatësve dhe prokurorëve Muharremi ka thënë se ato duhet të paraqiten tek autoritetet kompetente “p.sh nëse ka ankesa kundër një gjykatësi duhet të bëjnë ankesën te kryetari i gjykatës ku punon gjykatësi e kështu vlen edhe për prokurorin dhe kryeprokurorin”.

Ai ka thënë që me këto punime për këtë projektligj arrihet transparenca.

“Ky projektligj është në përputhshmëri me kërkesat e Këshillit të Evropës dhe ky ligj përcakton shkeljet disiplinore, procedurat për fillimin e hetimeve për ndryshimet, për shkelje disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, procedurat disiplinore pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe mjetet juridike që lidhen me shkeljet disiplinore pranë Gjykatës Supreme”.

Ditë më parë MD-ja ka sqaruar se kompetencën e hetimit e kanë ekskluzivisht Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Megjithatë, kryetarët e Gjykatave, Prokurori i Shtetit, Ministria e Drejtësisë si dhe Avokati i Popullit, ashtu si edhe qytetarët e Kosovës, do të kenë të drejtë që të paraqesin para Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës kërkesën që të fillojnë hetimet kundër një gjykatësi ose prokurori nëse ka bazë se ata kanë kryer shkelje disiplinore.

Hetimi nuk do të bëhet më nga Zyra e Prokurorit Disiplinor, por nga një komision disiplinor i themeluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përkatësisht nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Kur hetohet një gjykatës, komisioni disiplinor do të përbëhet nga gjykatës të një gjykate tjetër, ndërsa në rastin e një prokurori nga prokurorë të një prokurorie tjetër.

Të ngjashme