MD: Nevoja për korrigjimin e shënimeve kadastrale nga viti 2014

Prishtinë | 16 Mar 2017 | 16:42 | Nga

Ministria e Drejtësisë në një komunikatë dërguar medieve bënë të ditur se nevoja për korrigjimin e shënimeve kadastrale është ngritur që në vitin 2014 kur kjo e fundit  filloi procesin e hartimit të koncept dokumentit për ligjin për pronën publike.

E, në  kuadër të koncept dokumentit u trajtua nevoja për rregullimin e çështjes së suksedimit shtetëror në pronën e paluajtshme të Jugosllavisë dhe të Serbisë.

Ky sqarim vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës e cila ka përcaktuar që të gjitha pronat e paluajtshme të regjistruara në emër të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë/Republikës së Jugosllavisë, të Republikës Socialiste të Serbisë/Republikës së Serbisë, dhe të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, përfshirë organet e tyre shtetërore, administrative, ushtarake dhe ish-organizatat shoqërore-politike të regjistrohen në emër të Republikës së Kosovës si pronare e këtyre pronave të paluajtshme.

Në komunikatë më tutje thuhet se ky vendim është i bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës të datës 17 shkurt 2008 me të cilën Republika e Kosovës është shpallur shtet i pavarur dhe sovran. Si shtet i pavarur, dhe sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare, Republika e Kosovës në mënyrë automatike ka trashëguar pronësinë mbi pronat shtetërore të Jugosllavisë dhe të Serbisë siç përcaktohet në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kjo është konfirmuar edhe nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (“Plani i Ahtisarit”), i cili ka qenë i inkorporuar si pjesë përbërëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Sipas këtij dokumenti, “prona e luajtshme dhe paluajtshme e Republikës Federative të Jugosllavisë apo e Republikës së Serbisë, e cila ndodhet brenda territorit të Kosovës në momentin e Marrëveshjes, do t’i kalohet në pronësi Kosovës” (neni 8.3). Duke marrë parasysh që Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës ka hyrë në fuqi me rastin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me atë rast dhe me automatizëm prona e luajtshme dhe paluajtshme e Jugosllavisë dhe e Serbisë, e cila ndodhet brenda territorit të Kosovës, ka kaluar në pronësi të Republikës së Kosovës.

Më tutje thuhet se  Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës vetëm kërkon korrigjimin e shënimeve kadastrale me qëllim që këto të pasqyrojnë gjendjen juridike të krijuar me automatizëm me rastin e hyrjes së fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Zbatimin e vendimit e bën Agjencia Kadastrale e Kosovës në pajtim me ligjet në fuqi.

Çështja e suksedimit shtetëror në pronën e paluajtshme dhe korrigjimi i shënimeve kadastrale me qëllim që Kosova të regjistrohet si pronare e tokave që ende janë të regjistruara në emër të Jugosllavisë dhe të Serbisë u ngrit prapë gjatë konsultimeve për hartimin e strategjisë për të drejtat pronësore në Kosovë. Ky proces filloi në vitin 2015 dhe udhëhiqej nga Ministria e Drejtësisë me përkrahjen e USAID.

Në kuadër të grupit të parë tematik, i cili ishte përgjegjës që të analizojë legjislacionin lidhur me të drejtat pronësore-juridike në Kosovë, u identifikua problemi i pronave të regjistruara në emër të Jugosllavisë dhe të Serbisë dhe u rekomandua që këto të trajtohen sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Grupi punues vlerësoi se fakti që në Kosovë ka ende prona të paluajtshme të cilat përkundër rregullave të së drejtës ndërkombëtare janë të regjistruara në emër të Jugosllavisë dhe të Serbisë e cenon pronën publike të Republikës së Kosovës, krijon pasiguri juridike dhe pamundëson shfrytëzimin e këtyre pronave për nevojat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës. Analiza përkatëse dhe rekomandimi më pas u bënë pjesë e strategjisë kombëtare për të drejtat pronësore në Kosovës, e cila pas finalizimit nga Ministria e Drejtësisë u miratua nga Qeveria në dhjetor të vitit 2016.

Gjatë fazës së miratimit të kësaj strategjie, përkatësisht në tetor 2016, Ministria e Drejtësisë veç filloi konsultimet me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe me Agjencinë Kosovare të Privatizimit për identifikimin e pronave të paluajtshme që janë ende të regjistruara në emër të Jugosllavisë dhe të Serbisë dhe që duhet të kalojnë në emër të Republikës së Kosovës.

Agjencia Kadastrale e Kosovës e paraqiti një listë e cila u shqyrtua edhe nga Agjencia e Privatizimit e Kosovës me qëllim që në këtë listë të mos figurojnë prona shoqërore që janë nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Pas pastrimit të listës dhe hartimit të projektit të vendimit, Ministria e Drejtësisë në nëntor të vitit 2016 e parashtroi vendimin në Qeveri. Gjatë shqyrtimit në Qeveri u kërkua që lista të plotësohet me më shumë të dhëna faktike lidhur me parcelat në fjalë dhe për këtë arsye iu kthye Ministrisë së Drejtësisë për rishikim. Vendimi u rishikua nga Ministria e Drejtësisë dhe lista u plotësua nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe së bashku më pas u dorëzuan në Qeveri, e cila në mars të vitit 2017 e miratoi vendimin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme