Më 29 nëntor fillon intervistimi i 21 kandidatëve për drejtor të Agjencisë kundër Korrupsionit

Prishtinë | 22 Tet 2021 | 14:35 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen Agjencisë kundër korrupsionit ka njoftuar se më 29 nëntor do të fillojë intervistimi i 21 kandidatëve për pozitën e drejtorit të Agjencisë kundër Korrupsionit, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj tregoi në detaje për punën dhe raportin lidhur me aplikacionet e pranuara për pozitën e drejtorit të kësaj agjencie.

“Ne më datën 21 kemi shqyrtuar aplikacionet për pozitën e drejtorit te Agjencisë kundër korrupsionit. Nga 25 aplikacione, katër prej tyre nuk i kanë plotësuar kriteret për të vazhduar tutje ndërsa të tjerët do të vazhdojnë tutje. Kemi punuar për rreth 7 orësh për t’i shikuar në detaje këto aplikacione”, tha Selmanaj.

Të pranishëm në këtë komision në mënyrë online ishin edhe përfaqësues nga ambasada britanike që janë duke monitoruar këtë proces.

Kryetari i Komisionit Adnan Rrustemi tha se data e mbajtjes së intervistimit do jetë më 29 nëntor, ndërsa faza për trajnimin e anëtarëve të Komisionit do të vendoset ditëve në vazhdim.

Komisioni ka shqyrtuar edhe Projektligjin për të Drejtën ndërkombëtare private, ku ka raportuar zëvendësministri i ministrisë së Drejtësisë Blerim Sallahu.

Sallahu u ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë këtë projektligj.

“Dispozitat e të drejtës ndërkombëtare private kanë të bëjnë mbi rregullimin të rasteve të shtetasve të huaj dhe atyre të Kosovës. Bazuar në rëndësinë dhe avancim të mëtutjeshëm ju ftoj që të miratoni këtë projektligj në parim”.

Deputeti i PDK-së Hajdar Beqa, tha se do ta votojnë këtë Projektligji pasi është shumë i rëndësishëm dhe ka pesë vjet që s’po miratohet.

“Ne si PDK e shohim të nevojshëm këtë projektligj dhe kontributin tonë do ta japim në të dyja rastet si në komision ashtu edhe në Kuvend. Ligji e thotë qartë si për shtetasit vendor ashtu edhe ata të huajt. Ky ligj që pesë vite sillet dhe mendojmë që është me rëndësi të veçantë”.

Deputetja e VV-së Doarsa Kica-Xhelili pyet zëvendësministrin Sallahu lidhur me shkëputjen e reciprocitetit në dy nene të këtij draft ligjit.

Sallahu u përgjigj se reciprociteti ka të bëjë vetëm me ekzekutivin dhe jo me njohjen.

“Sa i përket parimit të reciprocitetit se secili shtet e ka një parim të tillë, dhe që ky parim i ka dy elemente pozitive e që janë në bazë të kushteve dhe ligjeve të njëjta. Nuk e shoh si problematikë por thjesht si fuqizim i gjykatave dhe reciprociteti ka të bëjë vetëm me ekzekutivin dhe jo me njohjen”.

Deputeti i VV-së, Hydajet Hyseni tha se të gjitha ligjet e skaduar duhet t’i shtrohen ndryshimit, raporton EO.

“Gjitha ligjet e skaduar duhet t’i shtrohen ndryshimit të ri. Çështja e reciprocitetit është e domosdoshme dhe Kosova ndoshta ka arsye që duhet t’i shmanget, por ne nuk duhet të heqim dorë sepse arsyet dihen pasi ka dy parime në marrëdhëniet ndërkombëtare, ai i reciprocitetit dhe i dominimit”.

Të ngjashme