3.5 milionë euro është shuma me të cilën synohet fuqizimi i sistemit statistikor të Kosovës. Kështu u bë e ditur të mërkurën, në lansimin e projektit “Fuqizimi i sistemit statistikor në Kosovë 2019-2020”, i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ambasada e Suedisë.
Në lansimin e këtij projekti u tha se fuqizimi i sistemit statistikor të Kosovës synohet duke mundësuar zhvillimin e informatave të besueshme statistikore dhe duke lehtësuar përmirësimin e vendimmarrjes.
Në vlerën e projektit prej 3.5 milionë eurosh kontributi i BE-së është dy milionë euro, ndërsa i Ambasadës së Suedisë 1.53 milionë euro, shkruan sot Koha Ditore.
Shefi i seksionit të bashkëpunimit nga Zyra e BE-së në Kosovë, Luigi Brusa, ka treguar për këtë projekt dhe akterët e përfshirë në të.“Ky është një bashkëpunim afatgjatë, ku është i përfshirë në projekt edhe OKB-ja. Unë si inxhinier mendoj se duhet të masim çdo gjë para çfarëdo vendimi”, ka thënë Brusa.
Kurse, udhëheqësja e bashkëpunimit për zhvillim nga Ambasada e Suedisë, Nasrin Pourghazian, ka thënë se me këtë përkrahje i ofrohet ndihmë ASK-së, në shumë fusha.
“Jam e lumtur që jam pjesë e këtij projekti dhe këtij partneriteti. Me këtë projekt ne i ofrojmë ndihmë ASK-së në projekte me partnerë strategjikë të rinj duke përmirësuar kapacitetet dhe të jenë të qasshme në të dhëna të sakta”, ka thënë Pourghazian.
Kryeshefi i ASK-së, Isa Krasniqi, ka thënë se pas katër vjetëve, sa do të zgjasë ky projekt, ASK-ja do të ketë të dhëna më cilësore dhe kualitative.