Me aktivitete kulturore, tradicionale e përkujtimore, Komuna e Rahovecit ka shënuar “Flakën e Janarit 2022”

Prishtinë | 27 Jan 2022 | 13:50 | Nga Ekonomia Online

Me aktivitete kulturore, tradicionale e përkujtimore, Komuna e Rahovecit ka shënuar “Flakën e Janarit 2022” Komuna e Rahovecit edhe këtë vit me aktivitete kulturore, tradicionale e përkujtimore ka shënuar “Flakën e Janarit 2022, nën patronatin e Kryetarit të Komunës, Smajl Latifi. Aktivitetet janë shënuar sipas kësaj agjende:

Me 21 janar 2022 në ora 11:00, në nderim të 23 vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit: Skender Rexhepi dhe Fitim Duraku janë bërë homazhe dhe nderime te vendi i rënies në Fortesë.
Me 27 janar 2022 në ora 10:00, janë bërë homazhe dhe nderime për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi, të rënë në Brestoc me 27 janar 1990,

Në ora 11:00 manifestimi përkujtimor e kulturor në Sallën e Kuvendit Komunal në Rahovec.

Kryetari Latifi ka thënë se brezat do të frymëzohen në rrugëtimin e tyre atdhetar dhe luftën për liri e bashkim nuk do ta ndalin asnjëherë, sepse këtë e kemi amanet. Toka do të mbushet me varre e nënat, gratë, motrat tona do të derdhin përrenj lotësh, sepse shumë gjak rrodhi në këtë tokë martire për lirinë.

“Po në këtë rrugëtim do të bien në Gjermani, më 21 janar 1982 edhe vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe bashkëveprimtari i tyre Kadri Zeka. Edhe këto rënie qenë të bujshme, ngase lëvizja ilegale e kohës kishte nisur të marrë shtrirje dhe përmasa.

Kjo i shqetësonte tej mase armiqtë e lirisë tonë, prandaj ua prenë rrugën në mes. Edhe këto vrasje nuk e topitën tehun e përpjekjeve për liri. Varret e tyre u bënë vend pelegrinazhi, ku atdhetarët betoheshin se do të vazhdonin luftën për liri deri në fitore.

Vrasja e tyre nga shteti jugosllav në të kohë, do të çojë peshë shpirtin liridashës dhe lufta do të ndizet më e ashpër. Edhe në rajonin e Rahovecit pati veprimtarë të shumtë, të cilët guximshëm u nisën rrugëtimit të lirisë. Në këtë vazhdë, bijat dhe bijtë e kësaj ane u mblodhën dhe me zjarrin e lirisë në gji u nisën drejt përjetësisë.

Marshi nisi nga Celina, ku Agron Fetahu i organizoi vetëm më të pjekurit për të kërkuar botërisht që Kosova të jetë Republikë (shtet). Në Nagavc e priste Nesimi Elshani, luftëtar i paepur i lirisë, që i organizuar në radhët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, i mblodhi njerëzit dhe vazhduan rrugëtimin drejt Rahovecit.

Këtij grupi të madh protestuesish iu bashkua edhe Halim Hoti nga Krusha e Madhe e Hilmi Krasniqi nga Hoça e Vogël”, ka thënë ndër të tjera në fjalimin e tij kryetari Latifi.

Selim Gashi, ka evokuar kujtime për ngjarjet e muajit janar të vitit 1990 duke thënë se pasi që ishin në ballë dhe po marshonin pa frikë, nga plumbat e parë bien heroikisht: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi si dhe dhjetëra demonstrues të tjerë ishin plagosur rëndë që edhe sot i ndjejnë pasojat e plagëve të marra nga policia speciale gjakatare e Beogradit. Gjaku i tyre u bë dritë dhe udhë rrëfim për brezat pas tyre.

Në kuadër të manifestimeve kulturore e përkujtimore, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka shpallur konkurs për krijimtari letrare, ku kanë marrë pjesë të rinjtë e shkollave të mesme dhe nxënësit e shkollave të komunës së Rahovecit. Juria e formuar nga kryetari i Komunës së Rahovecit më 24 janar 2022, në përbërje: Sokol Gashi (kryesues), Agime Kadriu, Frashër Behra, Adelinë Shabandula dhe Safet Spahiu, që të gjithë profesorë të Gjuhës dhe të letërsisë, u mblodhën më 26 janar 2022 për të vlerësuar punimet artistike të nxënësve të shkollave të mesme dhe fillore të komunës së Rahovecit, në bazë të konkursit të shpallur më 12.01.2022 dhe pas shqyrtimit të të gjitha punimeve kanë vendosur që eseja me titull “Flaka e Janarit” me shifër 0108 u shpërblye me vendin e pare. Poashtu vendi i dytë iu nda prozës me titullin “Flaka e Janarit” me shifër 328, kurse vendi i tretë poezia me shifër 22 me titull “Të rënëve për liri”.

Mirënjohjet me motivacion “Për plagët e marra gjatë protestës gjithëpopullore të 27 janarit 1990” i ka dhënë kryetari Latifi për të gjithë të plagosurit gjatë protestës si dhe ato Post mortem me po të njëjtin motivacion për ata që ishin të plagosur dhe që nuk janë në mesin tonë.

Në fund të manifestimit kulturor e përkujtimor “Flaka e Janarit” një program artistik prezantuan Shkolla e Ulët e Muzikës “Faik Sylka” në Rahovec, me disa pika artistike të profesorëve dhe nxënësve.
Aktivitetet për shënimin e “Flakës së Janarit 2022”, do të përfundojnë me 29 janar 2022, ku në ora 14:00, do të bëhen homazhe dhe nderime për dëshmorin e kombit Sahit Krasniqi, te varrezat e dëshmorëve në fshatin Ratkoc.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme