Biblioteka Kombëtare e Kosovës po zgjeron bashkëpunimin me institucionet kulturore evropiane, përmes forcimit të marrëdhënieve me Bibliotekën Szabó Ervin në Budapest.
Në kuadër të kësaj nisme, drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Dr. Blerina Rogova Gaxha, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Hungari, Delfin Pllana, zhvilluan një vizitë zyrtare në këtë institucion.
Takimi kishte në qendër shkëmbimin e përvojave profesionale në fushën e bibliotekarisë, promovimin e trashëgimisë kulturore dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim ndërinstitucional.
Delegacioni kosovar u prit nga drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Szabó Ervin, Ágnes Kovácsné Koreny, ekspertja për marrëdhënie ndërkombëtare, Emese Kovács, si dhe Anna Gáti, përfaqësuese e Departamentit të Diplomacisë së Bashkisë së Budapestit.
Gjatë bisedimeve, përfaqësuesit e dy bibliotekave shkëmbyen përvoja dhe praktika profesionale, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillimin e shërbimeve bibliotekare, ruajtjen e dokumentacionit historik dhe zgjerimin e qasjes së publikut në burimet kulturore.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua materialeve që lidhen me Kosovën dhe që ruhen në koleksionet e Bibliotekës Szabó Ervin.
Përfaqësuesve të Kosovës iu prezantuan libra të vjetër, harta historike dhe botime që trajtojnë folklorin, historinë dhe trashëgiminë kulturore të rajonit.
Këto materiale dëshmojnë për praninë e burimeve me interes për studimin e historisë dhe kulturës së Kosovës në fondet e bibliotekës hungareze, duke ofruar mundësi për njohjen dhe hulumtimin e mëtejshëm të tyre.
Në kuadër të vizitës, delegacioni kosovar dhuroi edhe një numër librash, të cilët do t’i shtohen koleksionit kushtuar Kosovës në Bibliotekën e Qytetit të Budapestit.
Ky kontribut synon të pasurojë fondin ekzistues me botime që prezantojnë historinë, letërsinë dhe trashëgiminë kulturore shqiptare, duke ua bërë këto materiale më të qasshme lexuesve dhe studiuesve në Hungari.
Dhurimi i librave u vlerësua si një gjest miqësie dhe si një hap konkret drejt forcimit të lidhjeve kulturore ndërmjet dy institucioneve.
Pjesë e programit ishte edhe vizita në Pallatin historik Wenckheim, ku ndodhet Biblioteka Qendrore Szabó Ervin.
Delegacioni pati mundësinë të njihej nga afër me historinë dhe arkitekturën e ndërtesës, organizimin e hapësirave bibliotekare dhe veprimtaritë kulturore që zhvillohen në këtë institucion.
Gjithashtu, përfaqësuesit kosovarë vizituan hapësirën krijuese MetszésPont, duke u informuar për mënyrat se si biblioteka ndërthur shërbimet tradicionale me aktivitetet bashkëkohore dhe iniciativat krijuese.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës e ka vlerësuar vizitën si një mundësi të rëndësishme për thellimin e marrëdhënieve me institucionet bibliotekare ndërkombëtare dhe për shkëmbimin e njohurive profesionale.
Bashkëpunime të tilla synojnë jo vetëm zhvillimin e praktikave bibliotekare, por edhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës jashtë vendit, përmes qasjes më të gjerë në libra, dokumente dhe materiale me vlerë historike.
Vizita në Budapest përfaqëson një tjetër hap në përpjekjet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për të zgjeruar rrjetin e partneriteteve ndërkombëtare dhe për të forcuar rolin e saj në ruajtjen, studimin dhe promovimin e trashëgimisë dokumentare e kulturore.