Filmi me regji të Merita Budakovës dhe Halil Budakovës u shfaq mbrëmë në praninë e shumicës së kastit dhe ekipit realizues. Veteranë të luftës u dorëzuan dhurata dy regjisorëve.
“Sakrifica” mbush sallat në premierë, historia e pesë vëllezërve përlot publikun

Filmi “Sakrifica” mbajti sonte premierën përpara një publiku që mbushi gjashtë salla kinemaje vetëm në Cineplexx, derisa e premiera e filmit u dha edhe në Cinestar e ku edhe atje u mbushën salat me publikë.
Drama e luftës, e cila ndërthur historinë e pesë vëllezërve me sakrificën për liri, u prit me emocione të forta nga të pranishmit.
Pas përfundimit të shfaqjes, shumë shikues dolën nga sallat të prekur dhe me lot në sy, duke reflektuar peshën emocionale të ngjarjeve të trajtuara në film.
Në premierë ishin të pranishëm shumica e aktorëve dhe anëtarëve të ekipit realizues. Gjatë mbrëmjes, veteranë të luftës u dorëzuan dhurata Halil Budakovës dhe Merita Budakovës.
“Sakrifica” vendos në qendër pesë vëllezër që përballen me një zgjedhje të rëndë: të mbrojnë jetën e tyre apo të rrezikojnë gjithçka për familjen, vendin dhe lirinë.
Përmes ndërthurjes së dramës familjare me aksionin, filmi trajton lidhjen mes vëllezërve, guximin, humbjen dhe pasojat që lufta lë në jetën e njerëzve.
Përballë rrezikut, personazhet detyrohen të vënë në pikëpyetje të ardhmen dhe ëndrrat e tyre, ndërsa vendimet personale marrin përmasa që shkojnë përtej fatit të secilit.
Krahas betejave, rrëfimi përqendrohet te marrëdhëniet familjare dhe barra emocionale e sakrificës, e përmbledhur edhe në sloganin e filmit: “Pesë vëllezër. Një komb. Një sakrificë. Një liri.”
Regjinë e filmit e mbajnë Merita Budakova dhe Halil Budakova. Në kast interpretojnë Halil Budakova, Michael Segal, Désirée Giorgetti, Ilir Prapashtica, Oltion Budakova, Labinot Lajçi, Ismail Kasumi, Angelo Borer, Hamdi Rashiti, Avdi Ramushi, Nue Ukaj, Gert Ferra dhe Përparim Beqiri. /GazetaExpress/
















